Ka kaluar më pak se një vit, që kur shkrimtarja E. Jean Carroll arriti të bindë jurinë, se ish-Presidenti Donald Trump kishte abuzuar seksualisht me të, dekada më parë. Sot ajo do të dalë sërish para gjykatës, për të dëshmuar në gjyqin e dytë civil kundër zotit Trump, këtë herë për të provuar se si kanë ndikuar jetën e saj, sulmet verbale të zotit Trump, ndaj saj.
Ish-Presidenti i ka hedhur poshtë gjithë akuzat e ngritur nga shkrimtarja. Për shkak se juria e parë e shpalli fajtor zotin Trump për abuzim seksual me zonjën Carroll, në vitet 1990 dhe më pas për shpifje ndaj saj në vitin 2022, gjyqi i ri lidhet vetëm me dëmshpërblimin që ai do të detyrohet t’i paguajë shkrimtares për sulmet verbale ndaj saj, të bëra në kohën kur zoti Trump ishte president. Juria mund të vendosë edhe që zoti Trump mund të mos paguajë asgjë.
Zoti Trump, i cili gjatë kësaj periudhe është paraqitur nga gjykata në gjykatë, në mesin e një fushate zgjedhore për president, mori pjesë të martën në procesin e përzgjedhjes së jurisë në Manhatan. Më pas ai u nis për një tubim në Nju Hempshër.
Në një postim në median sociale të martën ai shkruajti se çështja nuk ishte gjë tjetër veçse “një gënjeshtër e fabrikuar politike” që i kishte siguruar para dhe famë akuzueses së tij.
“Jam i vetmi i dëmtuar nga kjo përpjekje për zhvatje“, shkruante ai në një postim në platformën e tij “Truth Social”.
Shkrimtarja Carroll, ka thënë se zoti Trump i ka shkaktuar asaj një dëm të madh. Sipas saj zoti Trump e përdhunoi atë në një dhomë zhveshjeje, gjatë një takimi të rastësishëm mes tyre në një dyqan luksoz në 1996, dhe kur ajo e publikoi rastin, në një libër me kujtime të botuar në vitit 2019, ai i kundërshtoi akuzat, duke hedhur dyshime tek fjalët, motivet e madje tek gjendja e saj mendore.
“Ai më quajti gënjeshtare në mënyrë të përsëritur dhe kjo realisht ka shkatërruar reputacionin tim. Unë jam gazetare. E vetmja gjë që duhet të kem është besimi i lexuesve. Ata nuk më besojnë më“, tha ajo gjatë një dëshmie në prill në gjyqin e parë.
Sipas zonjës Carroll, për shkak të reagimit të zotit Trump ndaj akuzave të saj, ajo ka humbur me miliona lexues, si dhe punën në revistën Elle, ku prej më shumë se një çerek shekulli, shkruante një artikull me këshilla të titulluar “Pyet E. Jean”. Por përfaqësuesit e revistës thonë se kontrata e saj nuk u rinovua për të tjera arsye, që nuk lidhen me rastin. Një nga avokatet e zonjës Carroll, Shawn Crowley, tha në deklaratën e hapjes në gjykatë, se shkrimtarja ka marrë kërcënime të dhunshme nga mbështetësit e zotit Trump.
Avokatja e zotit Trump, Alina Habba, u kundërpërgjigj duke thënë se zonja Carroll po kërkonte mbatjen përgjegjës të zotit Trump për “disa postime të ndryra në twitter të bëra nga llogari false”. Në komentet e tij ndaj zonjës Carroll ai “thjesht kishte mbrojtur veten” tha ajo.
Zoti Trump thotë se mes tij dhe shkrimtares nuk ka ndodhur kurrë asgjë, e që madje, ai nuk e ka takuar kurrë atë. Por një foto e marrë gjatë një festë në vitit 1987, tregon zotin Trump dhe zonjën Carroll, të shoqëruar nga ish-bashkëshortët e tyre. Zoti Trump thotë se ajo ishte një foto e rastësishme, që “nuk duhet të llogaritet”.
Zoti Trump nuk mori pjesë në gjyqin e mëparshëm mbi këtë çështje që u zhvillua në maj të vitit të kaluar. Në atë kohë juria arriti në vendimin, se ai kishte abuzuar seksualisht dhe kishte shpifur ndaj zonjës Carroll, duke e detyruar ish-presidentin t’i paguante asaj 5 milionë dollarë në dëme. Megjithatë, zonja Carroll thotë se nuk arriti t’i vërtetojë pretendimet e saj se zoti Trump, e kishte përdhunuar. Zonja Carroll kërkon tashmë të paktën 10 milionë dollarë në formë dëmshpërblimi për shpifjet ndaj saj./voa
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim ...
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...