Një person nga Teksasi u gjet fajtor të martën për hyrjen me forcë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa mbante në brez një pistoletë. Prokurorët federalë arritën kështu një fitore të rëndësishme në gjyqin e parë mes qindra çështjeve gjyqësore që po ngrihen nga trazirat e vitit të kaluar.
Guy Wesley Reffitt u gjet gjithashtu fajtor nga juria për ndërhyrje në punën e oficerëve të policisë që po ruanin Kapitolin më 6 janar 2021, si dhe për pengim të drejtësisë duke kërcënuar dy fëmijët e tij adoleshentë që të mos ta raportonin tek organet e zbatimit të ligjit pas ishte kryer sulmi. Anëtarët e juristë diskutuan më vete për gati tre orë dhe e shpallën atë fajtor për të gjitha akuzat.
Vendimi mund të shërbejë si precedent për shumë çështje të tjera gjyqësore që u krijuan nga trazirat në Kapitol. Mund t’u japë më shumë avantazh prokurorëve që negociojnë për rastet e pranimit të fajësisë dhe mund të dekurajojë të akuzuarit e tjerë që mund të dëshirojnë ta vazhdojnë procesin në sallat e gjykatave.
49-vjeçari Reffitt nga qyteti Wylie, i Teksasit, nuk dëshmoi në gjyqin e tij që kishte filluar të mërkurën e kaluar. Ai nuk bëri ndonjë reagim të dukshëm kur u shpall verdikti. Fytyra e tij ishte sidoqoftë e mbuluar me maskë.
Gjatë paraqitjes së argumentave përmbyllëse të hënën, ndihmës prokurorja Risa Berkower u tha anëtarëve të jurisë se zoti Reffitt i dha makinës deri në Uashington për të ndalur procesin në Kongres që po çertifikonte fitoren në zgjedhje të Presidentit Joe Biden. Zoti Reffitt është shprehur me krenari se “ndezi shkëndijën” që u mundësoi të tjerëve në turmë të mposhtnin oficerët e policisë së Kapitolit që gjendeshin pranë dyerve të godinës së Senatit, tha prokurorja.
Zoti Reffitt nuk u akuzua për hyrjen në godinë. Avokati mbrojtës William Welch tha se nuk ka evidencë se zoti Reffitt dëmtoi pronën, përdori forcën, apo dëmtoi fizikisht ndonjë person.
Avokati u bëri thirrje anëtarëve të jurisë të shpallnin të pafajshëm zotin Reffitt për të gjitha akuzat, përveç njërës: Ai tha se duhej të shpallej fajtor për akuzën se bëri shkelje duke hyrë dhe duke qëndruar në një zonë me qasje të kufizuar.
Ndaj zotit Reffitt ishin ngritur pesë akuza: pengim i një procedure zyrtare, të qenit i pranishëm në mënyrë të paligjshme në ambientet e Kapitolit ndërsa ishte i armatosur me armë zjarri, transportim i armëve të zjarrit gjatë një trazire civile, ndërhyrje tek puna e oficerëve të zbatimit të ligjit gjatë një trazire civile, si dhe pengim të drejtësisë.
Juristët panë video ku shfaqej përballja mes disa oficerëve të policisë së Kapitolit dhe një turme njerëzish, përfshirë zotin Reffitt, i cili iu afrua atyre në anën perëndimore të Kapitolit.
Sipas prokurorëve, zoti Reffitt ishte i armatosur me një pistoletë të tipit Smith & Wesson që e mbante në një këllëf në brez, ku mbante edhe pranga plastike, si dhe ishte veshur me jelek anti-plumb dhe një helmetë të pajisur me kamera. Ai u tërhoq pasi një oficer e spërkati me lëndë djegësë në fytyrë, por ua bëri me dorë protestuesve të tjerë, të cilët depërtuan në vazhdim brenda ndërtesës, thanë prokurorët.
Përpara se turma të përparonte, zoti Reffitt përdori një megafon për t’i bërtitur policisë që të zhvendosej mënjanë dhe për ta nxitur turmën të shtynte përpara dhe të kapërcente oficerët. Ndihmës Prokurori Jeffrey Nestler, tha se zoti Reffitt luajti një rol udhëheqës atë ditë.
Gjatë dëshmisë së të premtes së kaluar, prokurorët zmadhuan një imazh filmik të zotit Reffitt në Kapitol. Agjenti Special i FBI-së Laird Hightower tha se imazhi tregon “një objekt linear metalik të argjendtë” në një këllëf që del nga poshtë xhaketës së zotit Reffitt ndërsa ai përkulej përpara.
Shauni Kerkhoff, e cila ishte një nga oficerët e policisë së Kapitolit që u përpoq të zmbrapste zotin Reffitt, tha se ajo i kishte hedhur topa piperi që nuk e ndaluan atë të përparonte. Ajo dëshmoi se zoti Reffitt dukej se po e drejtonte turmën deri tek shkallët ku gjendej policia.
Djali 19-vjeçar i zotit Reffitt, Jackson, dëshmoi të enjten e kaluar se babai i tij e kërcënoi atë dhe motrën e tij, atëherë 16 vjeçe, pasi ai u kthye me makinë në shtëpi nga Uashingtoni. Zoti Reffitt u tha fëmijëve të tij se do të ishin tradhtarë nëse do ta raportonin tek autoritetet dhe u tha se, “tradhtarët pushkatohen”, kujtoi Jackson Reffitt.
Jackson Reffitt, atëherë 18 vjeç, tha se kërcënimi e tmerroi atë. Motra e tij më e vogël, Peyton, u rendit si një dëshmitare e mundshme e qeverisë, por nuk dëshmoi.
Jackson Reffitt përdori një aplikacion celulari për të regjistruar fshehurazi babain e tij duke u mburrur për rolin e tij në trazira. Juristët dëgjuan pjesë të asaj bisede familjare.
Jackson Reffitt fillimisht kontaktoi FBI-në në prag të Krishtlindjeve, më pak se dy javë para trazirave, për të raportuar shqetësimet për sjelljen e babait të tij dhe retorikën gjithnjë e më shqetësuese. Por FBI-ja nuk u përgjigj deri më 6 janar, pasi shpërthyen trazirat.
Një tjetër dëshmitar kyç, Rocky Hardie, tha se ai dhe zoti Reffitt ishin anëtarë të grupit paraushtarak “Texas Three Percenters” (“Tre Pëqindëshi i Teksasit”). Lëvizja paraushtarake Tre Përqindëshi i referohet mitit se vetëm 3% e amerikanëve luftuan në Luftën Revolucionare kundër britanikëve.
Zoti Hardie udhëtoi me makinë nga Teksasi në Uashington me zotin Reffitt. Ai dëshmoi se ata të dy ishin të armatosur me pistoleta që i mbajtën në brez kur morën pjesë në tubimin “Të Ndalim Vjedhjen” të Presidentit të atëhershëm Donald Trump, përpara se të shpërthenin trazirat. Zoti Reffitt gjithashtu mori një pushkë të llojit AR-15 me vete në Uashington, por e la të mbyllur në makinën e tij, tha zoti Hardie.
Zoti Hardie tha se zoti Reffitt, gjatë udhëtimit të tyre për në Uashington, foli për tërheqjen zvarrë të ligjvënësve nga Kapitoli dhe zëvendësimin e tyre me njerëz që do të “ndiqnin Kushtetutën”. Zoti Hardie tha gjithashtu se zoti Reffitt i dha atij dy palë pranga plastike në rast se do të duhej të ndalonin dikë.
Zoti Reffitt u arrestua më pak se një javë pas trazirave. FBI-ja gjeti një pistoletë në një këllëf në një komodinë në dhomën e gjumit të të pandehurit, kur ata kontrolluan shtëpinë e tij në zonën pranë qytetit Dallas.
Më shumë se 750 persona janë akuzuar për krime federale në lidhje me trazirat. Më shumë se 220 prej tyre kanë pranuar fajësinë, kryesisht për shkelje, dhe mbi 110 prej tyre janë dënuar. Rreth 90 të tjerëve u janë caktuar datat e gjykimit./VoA/
Miftaraj: Osmani i tregoi Qeverisë e Kuvendit se s’dinë të h...
“Si nuk po të vjen marre, nuk po të njoh se kush je”, Kevini...
Parandalohet futja e kontrabandës në Qendrën Korrektuese të ...
“Trepça” largon përkohësisht dhe një punëtor, mungoi në punë...
“Ftoha marrëdhëniet”, Meta flet në gjykatë për raportin me k...
Java e fundit e Ligës së Kombeve, Kuqezinjtë sonte kërkojnë ...