Një gjykatëse federale bllokoi përkohësisht publikimin e raportit të Prokurorit të Posaçëm Jack Smith mbi hetimet e tij ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, ndërkohë që gjykata e apelit po shqyrton kërkesën e avokatëve për të mos i publikuar ato.
Gjykatësja Aileen Cannon e mori vendimin të martën, pas kërkesës urgjente të avokatëve të mbrojtjes për t’ia ndaluar Departamentit të Drejtësisë publikimin e raportit – një hap që Prokurori Smith tha se mund të bëhej që të premten.
Çështja po trajtohet në Gjykatën e Apelit në Atlanta.
Trump reagoi duke thënë se “raporti do të jetë i rremë, ashtu siç ishin edhe hetimet e tij”.
Prokurori i Posaçëm Smith tha të martën se ekipi i tij po finalizonte raportin mbi dy çështjet që ai hetoi rreth Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe të paktën njëri prej tyre mund të publikohej që të premten.
Ai e bëri këtë deklaratë si përgjigje të kërkesës së avokatëve të zotit Trump, që i kishin kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland, të bllokonte paraprakisht raportin para se ai të bëhej publik.
Raporti pritet të përshkruajë gjetjet që çuan në ngritjen e akuzave nga Prokurori Smith për dy aktpadi të veçanta, atë të marrjes së dokumenteve sekrete dhe dërgimin e tyre në pronën e Trump në Mar-a-Lago, si dhe përpjekjet e ish presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 para trazirave të 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol.
Çështja e dokumenteve sekrete, për të cilën u akuzua zoti Trump dhe dy të pandehur të tjerë, u pushua në muajin korrik nga një gjykatëse që ishte emëruar nga vetë Trump kur ai ishte president. Gjykatësja e pushoi çështjen nën argumentin se emërimi i Prokurorit të Posaçëm Smith ishte bërë në shkelje të ligjit. Ndaj Trump ishte ngritur edhe një aktpadi tjetër, për ndërhyrje në procesin zgjedhor, por akuzat në aktpadi u kufizuan ndjeshëm pas vendimit të Gjykatës së Lartë mbi imunitetin e gjerë që gëzojnë presidentët.
Ekipi i Prokurorit Smith vendosi t’i pushojë të dyja rastet në nëntor, pas fitores së Trump, duke iu referuar një praktike të hershme të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës, presidentët që janë duke ushtruar detyrën, nuk mund të jenë subjekt i hetimeve federale.
Avokatët mbrojtës të Trump, përfshirë avokatin Todd Blanche, i cili është emëruar nga ai për të shërbyer si zëvendës Prokuror i Përgjithshëm në administratën e re, i bënë thirrje Prokurorit të tanishëm të Përgjithshëm Garland përmes një letre, që u bë publike në orët e vona të hënën, që ta bllokonte publikimin e raportit dhe ta largonte prokurorin Smith “menjëherë” – ose t’ia delegonte vendimin për publikimin e raportit, prokurorit të ardhshëm të përgjithshëm.
Me një gjuhë të ngjashme me sulmet e Trump ndaj prokurorit Smith dhe punës së tij, avokati Blanche i shkruante Prokurorit Garland se “publikimi i një raporti konfidencial, të përgatitur nga një qytetar privat, që ka dalë jashtë kontrollit dhe, që në shkelje të kushtetutës, hiqet si prokuror, do të ishte një veprim politik i jashtëligjshëm, që synon të dëmtojë Presidentin Trump dhe të justifikojë paratë e taksapaguesve, të cilat zoti Smith i shpenzoi në kundërshtim me kushtetutën për hetimet e tij të dështuara dhe të hedhura tashmë poshtë”.
Si kundërpërgjigje ndaj kësaj kërkese, ekipi i prokurorit Smith tha të martën se do t’ia dorëzonte raportin prokurorit Garland në orët e pasdites dhe se pjesa e parë, që ka të bëjë me hetimet mbi dokumentet sekrete, nuk do të bëhej publike para orës 10 të mëngjesit të ditës së premte. Pritshmëria është që dyja pjesët e raportit të prokurorit Smith, të publikohen në të njëjtën kohë.
Sipas rregulloreve të Departamentit të Drejtësisë, prokurorët e posaçëm, duhet të dorëzojnë një raport konfidencial rreth gjetjeve të hetimeve të tyre tek Prokurori i Përgjithshëm.
Prokurori i Përgjithshëm Garland deri më tani i ka publikuar në tërësi raportet e hartuara nga prokurorët e posaçëm të cilët kanë vepruar nën mbikëqyrjen e tij, përfshirë raportin e prokurorit Robert Hur mbi hetimet për dokumentet sekrete nga koha kur ishte nënpresident, që iu gjetën ne mjediset private Presidenti Joe Biden, si dhe raportin e prokurorit John Durhman mbi hetimet e FBI-së për ndërhyrjet ruse në zgjedhje./VOA
Vini u dënua me dy ndeshje moslojë, Ancelotti e quan vendim ...
Nura viziton babain e Thaçit në spital: Dëshira jonë që të k...
Haradinaj: Dyfishim i pagave në sektorin publik, pensione ba...
PD për çmimin e energjisë, Berisha: Hipokrizi e pabarazi eks...
Tërhiqet shorti për rrethin e 1/8 së finales në Copa del Rey
Sara me një pyetje pikante ndaj Vullnetit: Sa jashtë vetes m...