Një gjykatës amerikan që po shqyrton të dhënat e sekuestruara nga shtëpia e ish-presidentit Donald Trump në Florida u kërkoi të enjten avokatëve të zotit Trump që të paraqesin çdo provë që hedh dyshime mbi integritetin e dokumenteve, për të cilat ish-presidenti ka pretenduar pa argumente se ishin vendosur nga agjentët e FBI-së.
Gjyqtari i lartë federal Raymond Dearie u emërua nga një gjykatëse tjetër si ekspert i pavarur për të verifikuar dokumentet për të vlerësuar nëse nuk duhen lejuar hetuesit të kenë qasje tek disa prej tyre si të mbrojtura nga privilegji.
Ai i kërkoi gjithashtu Departamentit të Drejtësisë të verifikojë deri të hënën një inventar të detajuar të materialeve që FBI konfiskoi në kontrollin e 8 gushtit në Mar-a-Lago.
Gjykatësi Dearie u kërkoi avokatëve të zotit Trump që të dorëzonin deri më 30 shtator një listë të detajuar të artikujve në atë inventar “që paditësi pretendon se nuk ishin sekuestruar nga rezidenca”. Gjykatësi u kërkoi atyre gjithashtu të paraqisnin deri në atë date çdo korrigjim që mund të kishin për listën e Departamentit të Drejtësisë, përfshirë artikujt që ata besojnë se ishin sekuestruar në Mar-a-Lago, por që nuk ishin të regjistruara në inventar.
“Kjo do të jetë mundësia e fundit e paditësit (ish-presidentit Trump) për të parashtruar çdo kundërshtim faktik në lidhje me saktësinë e Inventarit të Detajuar,” shkruan gjykatësi Dearie.
Kontrolli u krye si pjesë e një hetimi penal federal për të përcaktuar nëse zoti Trump kishte mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumente nga Shtëpia e Bardhë kur la postin në janar 2021 pasi ai humbi zgjedhjet në vitin 2020 dhe nëse ai ishte përpjekur të pengonte hetimin.
Zoti Trump e ka quajtur hetimin të motivuar politikisht. Ai gjithashtu ka pretenduar, pa dhënë prova, se kishte deklasifikuar çdo dokument të gjetur në Mar-a-Lago dhe se FBI kishte vendosur dokumente me qëllim.
Me kërkesë të zotit Trump, gjykatësja, Aileen Cannon caktoi si ekspert të posaçëm gjykatësin Dearie për të verifikuar materialet. Departamenti i Drejtësisë ka thënë se më shumë se 11,000 dokumente janë sekuestruar, përfshirë rreth 100 dokumente të klasifikuara.
Një gjykatë federale e apelit tha të mërkurën se Departamenti i Drejtësisë mund të rifillojë shqyrtimin e atyre të dhënave të klasifikuara në hetimin e tij penal. Gjykata e Apelit e vendosi gjithashtu se gjykatësi Dearie nuk mund të verifikojë dokumentat e etiketuara si të klasifikuara. /voa
Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara...
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...
“Nuk dua që me dal prej një darke i lumtur, e nesër përsëri ...
Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistë e fëmijë
Kush janë 16 banorët e parë të Big Brother VIP Albania 4
Drenusha-Sarës: Nuk ke ndjenja për Drilonin