Peter Navarro, ish-këshilltari për tregtinë i ish-Presidentit Donald Trump, u gjend fajtor të enjten për shpërfillje të Kongresit.
Ai pati kundërshtuar një fletëthirrje nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e vitit 2021 ndaj Kapitolit.
Një juri gjyqësore prej 12 anëtarësh e shpalli fajtor zotin Navarro për dy akuza shpërfilljeje pasi ai refuzoi të dëshmojë apo të dorëzojë dokumenta tek komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve, në atë kohë me shumicë demokrate, që hetoi sulmin e 6 janarit 2021 nga një turmë mbështetësish të ish-Presidentit Trump, si dhe përpjekjet më të gjera të tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.
Zoti Navarro, një ndër ish-zyrtarët më të rreptë me Kinën që këshillonte zotin Trump për çështjet tregtare, pati shërbyer edhe në grupin e punës për COVID-in.
Ai u bë tashmë bashkëpunëtori i dytë i afërt i ish-Presidentit Trump që dënohet për sjelljen me komisionin e Kongresit. I pari u gjend fajtor vitin e kaluar Steve Bannon për shpërfillje të Kongresit, pas refuzimit të një fletëthirrjeje. Ai u dënua në atë kohë me katër muaj burgim dhe e ka apeluar vendimin.
Zoti Navarro tha përpara seancës gjyqësore se nuk kishte detyrimin të respektonte fletëthirrjen pasi ish-Presidenti Trump kishte imunitetin e degës ekzekutive, që përfshin mospublikimin e disa prej të dhënave të kësaj dege.
Gjykatësi Amit Mehta vendosi se zoti Navarro nuk mundej ta përdorte këtë shpjegim gjatë mbrojtjes së tij, duke konkluduar se i akuzuari nuk kishte paraqitur prova që zoti Trump të kishte aktivizuar zyrtarisht imunitetin e ekzekutivit në përgjigje të fletëthirrjes. Avokatit Stanley Woodward i mbetën argumentat mbrojtës se zoti Navarro mund të mos ketë zbatuar gabimisht fletëthirrjen.
Zoti Navarro, i veshur me kostum të errët dhe kollare, nuk reagoi dukshëm kur u lexua vendimi, pasi gati pesë orë diskutimesh më vete të jurisë. Avokati i tij tha se do ta apelojë vendimin.
Zoti Navarro u tha gazetarëve jashtë godinës se “ditën që Gjykatësi Mehta vendosi që nuk do ta përdorja imunitetin e ekzekutivit si argument mbrojtës, u vulos edhe çështja”.
Akuzat mbartin një dënim maksimal deri në një vit burgim. Dënimi pritet të jepet më 12 janar./VOA
Superliga rikthehet në aksion me ndeshje interesante
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Sallës së Edukatës ...
Ukraina thotë se ka goditur një depo nafte dhe një stacion r...
Grafiti në “Car Lazar”, suspendohen gjashtë policisë për mos...
Aksidenti me fatalitet në Kaçanik, Policia jep detaje – ka r...
Kampusi i Kolegjit të Europës, Rama inspekton punimet