Gjykata Supreme e Rusisë e hodhi poshtë të mërkurën ankesën e Boris Nadezhdin, kandidatit presidencial që është kundër luftës, ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (TsIK) që ia ndalon atij garimin në zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm.
Akademiku dhe ish-avokati i lindur në Uzbekistan ishte ankuar ndaj vendimit final të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ia ndalon atij pjesëmarrjen në zgjedhje.
TsIK, i cili vazhdimisht refuzon t’i regjistrojë kandidatët opozitarë me pretekstin se ata kanë dorëzuar numër të pamjaftueshëm të nënshkrimeve të vlefshme, i hodhi poshtë miijëra nënshkrime që përfaqësuesit e Nadezhdinit i mblodhën nëpër vend për ta arritur pragun prej 100.000 nënshkrimeve të nevojshme për t’u regjistruar si kandidat.
“Gjykata Supreme e Federatës ruse e refuzoi kërkesën time për ta sfiduar mosregjistrimin tim. Do të ankohem ndaj këtij vendimi brenda pesë ditëve. Më 26 shkurt, gjykata do t’i shqyrtojë ankesat për dy pretendimet e para”, tha Nadezhdin në Telegram.
“Unë nuk do ta pranoj dështimin”, shtoi ai.
Javën e kaluar, gjykata e njëjtë i hodhi poshtë dy ankesa të tjera që ai i kishte bërë ndaj vendimeve të TsIK-ut në lidhje me mbledhjen e nënshkrimeve për t’u regjistruar si kandidat për zgjedhjet presidenciale.
Ai mund të ankohet ndaj vendimit të 21 shkurtit në Bordin e Ankesave të Gjykatës Supreme.
Ankesa e parë kishte të bënte me shpjegimin e TsIK-ut për vendimin e tij se shumë prej përfaqësuesve të Nadezhdinit, të cilët mblodhën nënshkrime, i kishin prokurat e tyre të certifikuara nga zyrat e noterit në rajone të tjera dhe jo në rajonin në të cilin mblidhnin nënshkrime.
Nadezhdin ngul këmbë se TiSK-u abuzoi me pushtetin e vet sepse asnjë ligj rus nuk thotë se prokurat e mbledhësve të nënshkrimeve duhet të jenë të certifikuara nga zyrat e noterit në rajonet e njëjta ku ata i mbledhin nënshkrimet.
Në ankesën e dytë, Nadezhdin i vuri në pikëpyetje dokumentet e TsIK-ut për kontrollimin e nënshkrimeve të mbështetësve të tij, duke thënë se TsIK-u nuk nxori përfundime të shkruara të ekspertëve të dorëshkrimit në protokollet e inspektimit të nënshkrimeve.
Nadezhdin, i cili u propozua si kandidat për president nga partia Platforma Qytetare, është i vetmi politikan me ambicie presidenciale i cili publikisht e ka dënuar pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe e ka kritikuar presidentin Vladimir Putin.
Zgjedhjet presidenciale në Rusi do të mbahen më 15-17 mars.
Putini u regjistrua zyrtarisht si kandidat për president në fund të janarit për zgjedhjet që pritet t’i fitojë pa ndonjë telash, sepse kundërshtarët e tij kryesorë ndodhen ose në burg ose në mërgim, pasi kanë ikur për arsye sigurie.
Zgjedhjet në Rusi kontrollohen fuqishëm nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta.
Alexei Navalny, një zë kritik opozitar i cili tentoi të gronte kundër Putinit më 2018, ishte ndaluar nga TsIK për shkak të një dënimi për mashtrim, i cili është parë nga shumë si dënim i motivuar politikisht.
Navalny vdiq në burg më 16 shkurt pasi u raportua se i humbi ndjenjat derisa po ecte jashtë qelisë së tij.
Shkaktari i vdekjes së tij nuk është zbuluar zyrtarisht nga autoritetet, të cilat nuk po pranojnë ta kthejnë trupin e tij te familja, duke thënë se u nevojitet dy javë kohë për ta hetuar atë.
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...
Aksident mes tri automjeteve në Prishtinë, lëndohen dy perso...
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...