Gjykata e Lartë e Izraelit rrëzoi të hënën një përbërës kyç të reformës së propozuar për gjyqësorin nga Kryeministri Benjamin Netanyahu, një vendim që kërcënon të rihapë plagët e shoqërisë izraelite që i paraprinë fillimit të luftës me Hamasin.
Këto ndasi u lanë përgjithësisht mënjanë ndërsa vendi u përqendrua tek lufta në Gazë, e cila u shkaktua nga sulmi i përgjakshëm i Hamasit brenda territorit izraelit. Vendimi gjyqësor i së hënës mund të rindezë tensionet, të cilat patën shkaktuar muaj të tërë protestash masive kundër qeverisë dhe patën tronditur kohezionin e ushtrisë së fuqishme izraelite.
Me vendimet e së hënës, gjykata votoi me shumicë të ngushtë në favor të rrëzimit të një ligji të miratuar në korrik që ua ndalonte gjykatësve të rrëzonin vendimet e qeverisë që i gjykonin “të paarsyeshme”. Kundërshtarët thonin se përpjekjet e zotit Netanyahu për ta hequr standartin e veprimeve të arsyeshme, i hapnin derën korrupsionit dhe emërimeve të papërshtatshme të mbështetësve të tij në poste të rëndësishme.
Ligji ishte hapi i parë i një reforme të gjerë të sistemit gjyqësor izraelit. Reforma u pezullua pasi militantët e Hamasit bënë sulmin e 7 tetorit, duke vrarë rreth 1200 persona dhe duke marrë peng 240 të tjerë. Izraeli shpalli menjëherë gjendjen e luftës dhe po bën një ofensivë nga e cila sipas zyrtarëve palestinezë janë vrarë rreth 22 mijë persona në Gazë.
Me vendimin 8 me 7, anëtarët e Gjykatës së Lartë e rrëzuan ligjin për shkak të “dëmit të pakthyeshëm dhe të pashembullt ndaj thelbit të karakterit të shtetit të Izraelit si një vend demokratik”.
Gjykatësit votuan gjithashtu 12 me 3 për të vendosur se kanë autoritetin për të rrëzuar të ashtuquajturat “ligje themelore”, të cilat shërbejnë si një lloj kushtetute për Izraelin.
Kjo ishte një goditje domethënëse për zotin Netanyahu dhe aleatët e tij, të cilët thonë se legjislatura kombëtare, dhe jo gjykata e lartë, duhet të ketë fjalën përfundimtare për sa i përket ligjshmërisë së legjislacionit dhe vendimeve të tjera kryesore. Gjykatësit u shprehën se parlamenti, Knesseti, nuk ka autoritet “të gjithëpushtetshëm”.
Zoti Netanyahu dhe aleatët e tij e shpallën reformën gjithëpërfshirëse pak pasi morën pushtetin një vit më parë. Reforma synon kufizimin e autoritetit të gjykatësve, që nga kufizimi i mundësisë së Gjykatës së Lartë për të shqyrtuar vendimet e parlamentit dhe deri tek ndryshimi i mënyrës se si emërohen gjykatësit.
Zoti Netanyahu dhe aleatët e tij thanë se ndryshimet synojnë forcimin e demokracisë duke kufizuar autoritetin e gjykatësve që nuk zgjidhen me votë dhe kalimin e kompetencave të mëtejshme zyrtarëve të zgjedhur. Por, kundërshtarët e shohin reformën si një kapje e pushtetit nga zoti Netanyahu, i cili është në proces gjyqësor i akuzuar për korrupsion, si dhe si një sulm ndaj një organi kyç mbikëqyrës.
Përpara luftës, qindra mijëra izraelitë dolën në protesta të përjavshme kundër qeverisë. Ndër protestuesit ishin rezervistë të ushtrisë, përfshirë pilotë të forcave ajrore dhe anëtarë të njësive të tjera elitare, të cilët thanë se nuk do të raportonin për të kryer detyrën nëse miratohej reforma. Rezervistët janë boshti i ushtrisë izraelite.
Ndërsa rezervistët u rikthyen me shpejtësi në detyrë pas sulmeve të 7 tetorit në shenjë uniteti, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë nëse ripërtërihen përpjekjet për reformim. Një rifillim i protestave do të dëmtonte unitetin kombëtar dhe do të ndikonte tek gatishmëria e ushtrisë nëse ushtarët refuzojnë të paraqiten.
Sipas sistemit izraelit, kryeministri qeveris nëpërmjet shumicës në parlament – duke i dhënë atij praktikisht kontrollin mbi degën e ekzekutivit dhe legjislativit.
Për rrjedhojë, Gjykata e Lartë luan një rol kyç mbikqyrës. Kritikët thonë se duke u përpjekur të dobësojnë gjyqësorin, zoti Netanyahu dhe aleatët e tij po përpiqen të dëmtojnë sistemin e kontrollit dhe balancës dhe të konsolidojnë pushtetin ndaj një dege të tretë dhe të pavarur të sistemit të qeverisjes.
Ndër aleatët e zotit Netanyahu janë disa parti ultranacionaliste dhe fetare, të cilat kanë pakënaqësi të shumta ndaj gjykatës.
Aleatët e tij kanë bërë thirrje për ndërtime të shtuara në vendbanimet në Bregun Perëndimor, për aneksimin e territoreve të pushtuara, për përjashtimin nga shërbimi ushtarak të burrave nga komunitetet ultra-ortodokse, si dhe për kufizimin e të drejtave të personave nga komuniteti LGBTQ+ dhe të palestinezëve.
Shtetet e Bashkuara i patën bërë thirrje më parë zotit Netanyahu që të pezullonte planet për reformim dhe të përpiqej për arritjen e një konsensusi të gjerë nga spektri politik.
Gjykata e dha vendimin tani për shkak se presidentja e saj, Esther Hayut del në pension dhe e hëna ishte dita e saj e fundit në detyrë./voa
Irani konfirmon se do t’i diskutojë çështjet bërthamore me t...
NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit...
Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Me flamujt kuq e zi në duar/ Mijëra shqiptarë presin Ramën n...
Guardiola pas humbjes nga Tottenham: Ne do të ngritëmi
Izraeli thotë se një rabin është vrarë në Emiratet e Bashkua...