Google ADS

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbështet Katarin në kontestin me fqinjët

22:28 | 14 Korrik 2020
Arbresh.info

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) mbështeti sot Katarin në kontestin me Bahrejnin, Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për bllokadën ajrore kundër Dohas zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

GJND-ja përmes një kumtese njoftoi se hodhi poshtë ankesën nga Bahreini, Egjipti, Arabia Saudite dhe EBA-s kundër juridiksionit të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) për mosmarrëveshjen për bllokadën ajrore.

Gjykata vendosi gjithashtu që ICAO kishte “juridiksion” dhe se çështja ishte “e pranueshme”, e cila vendosi se bllokada e trafikut ajror kundër Katarit shkel Konventën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (Konventa e Çikagos).

Më 5 qershor 2017, Arabia Saudite, EBA, Bahrejni dhe Egjipti papritmas ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe vendosën një bllokadë tokësore, detare dhe ajrore, duke shpresuar se Katari do të pranonte një listë të gjatë të kërkesave.

Katër shtetet akuzojnë Dohan zyrtare për “mbështetje të terrorizmit”, një pretendim i mohuar fuqishëm nga Katari, duke përshkruar embargon e udhëhequr nga Arabia Saudite si një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Në vitin 2018, ICAO vendosi që ajo kishte autoritet të merrej me një mosmarrëveshje të parashtruar nga Katari, duke akuzuar fqinjët e tij për shkeljen e konventës që rregullon kalimin e lirë të avionëve të saj të pasagjerëve nëpër hapësirën e huaj ajrore.

Por Bahreini, Egjipti, Arabia Saudite dhe EBA e hodhën poshtë këtë vendim dhe i apeluan ICJ-së për të shpallur vendimin e ICAO-s “të pavlefshëm”.

Gjatë tre viteve të fundit, Kuvajti është përpjekur të zgjidhë kontestin, por deri më tani nuk ka pasur sukses.

Duke përshëndetur vendimin e sotëm, një njoftim zyrtar për media nga administrata e Katarit tha se nga fillimi i bllokadës së paligjshme në qershor të vitit 2017, “Katari ka pohuar se shtetet bllokuese kanë vepruar në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.

“Që nga qershori i vitit 2017, shtetet bllokuese u kanë ndaluar fluturimin e avionëve të regjistruar në Katar drejt ose nga aeroportet e tyre, si dhe të fluturojnë në hapësirat e tyre ajrore kombëtare, në një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

“Në dy aktgjykime e publikuara sot, ICJ kundërshtoi të tre arsyet e apelit të ngritur nga shtetet bllokuese, duke gjetur se ICAO ka juridiksion të dëgjojë pretendimet e Katarit. Këshilli i ICAO tani do të rifillojë procedurat e tij”, thuhet gjithashtu në njoftim.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Katarit, Jassim Saif Ahmed Al-Sulaiti, tha se vendi i tij është “i sigurt se ICAO përfundimisht do t’i shpallë këto veprime bllokuese të paligjshme”.

Ai tha se ky është vendimi i fundit në një seri vendimesh që ekspozojnë mosrespektimin e vazhdueshëm të vendeve bllokuese ndaj ligjit ndërkombëtar dhe procesit të rregullt ligjor. “Hap pas hapi argumentet e tyre janë duke u çmontuar, dhe pozicioni i Katarit është i justifikuar”, shtoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme