Gjykata italiane e liron kapitenen gjermane të anijes që shpëtoi 40 imigrantë

12:28 | 3 Korrik 2019
Arbresh.info

Një gjykatëse në Sicili e ka liruar nga arresti shtëpiak gjermanen Carola Rackete, kapitenen e anijes që transportonte imigrantë të shpëtuar në det. Ajo ishte arrestuar për shkak se e kishte ndaluar anijen në një port detar të Italisë, pavarësisht mungesës së lejes nga autoritetet.

Kapitenia Rackete e ka mbrojtur vendimin e saj për ta futur anijen në portin e Lampedusas pa lejen e rojës bregdetare italiane, duke thënë se një gjë e tillë lejohet për shkak të gjendjes emergjente dhe dëshpërimit që i kishte kapluar 40 imigrantët që ndodheshin në këtë mjet lundrues.

Pasi anija që ajo e drejtonte ishte ndeshur me një anije patrulluese italiane, ndaj kapitenes kishin nisur hetime për kundërshtim të një zyrtari dhe dhunë kundër një anijeje ushtarake. Ajo mund të dënohej me dhjetë vjet burgim, nëse do të shpallej fajtore.

Gjykatësja Alessandra Vella tha se kapitenia Rackete nuk duhet të mbahet në arrest shtëpiak gjatë kohës së hetimeve nga prokurorët, të cilët do të përpiqen të sigurojnë dëshmi të mjaftueshme për të ngritur akuzë kundër saj. Afati ligjor maksimal për kohëzgjatjen e këtyre hetimeve është dy vjet.

Ndaj vendimit të kësaj gjykate për lirimin nga arresti shtëpiak të kapitenes gjermane ka reaguar ministri i brendshëm italian, Matteo Salvini, i cili njihet për qëndrimet e tij kundër imigrantëve. Ai ka thënë se kapitenia gjermane do të dëbohet nga Italia, sepse është e rrezikshme për sigurinë kombëtare, shkruan “New York Times”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme