Gjykata holandeze urdhëron që qeveria të heq orën policore

13:48 | 17 Shkurt 2021
Arbresh.info

Gjykata holandeze ka urdhëruar që masa e orës policore mbi koronavirusin e ri (COVID-19) në të gjithë vendin “duhet të hiqet menjëherë” pasi shkel lirinë e lëvizjes dhe privatësinë.

Duke kujtuar se qeveria përdori një akt të veçantë për “rrethana shumë urgjente dhe të jashtëzakonshme” për të zbatuar orën policore, gjykata në Hagë tha se “imponimi i orës policore nuk nënkuptonte urgjencën e veçantë të kërkuar”.

Gjykata tha se përdorimi i një akti të tillë për të vendosur orën policore “nuk është i ligjshëm” dhe kërkon një “proces vendimmarrje jashtëzakonisht të kujdesshëm”. Sipas gjykatës, për këtë masë parlamenti duhej të ishte këshilluar.

Çështja u soll nga grupi i fushatës Viruswaarheid (E vërteta e virusit), e cila udhëhoqi protesta kundër kufizimeve për shkak të virusit.

Ora policore në periudhën kohore 21:00-04:30, e para në Holandë që nga Lufta e Dytë Botërore, filloi më 23 janar dhe u zgjat javën e kaluar deri më 3 mars.

Disa kufizime tjera tashmë kanë qenë në fuqi mes përhapjes së llojeve të reja të koronavirusit që thuhet se janë më ngjitëse dhe ndoshta më vdekjeprurëse.

Njerëzit këshillohen të qëndrojnë në shtëpi dhe lejohen të dalin jashtë vetëm për të blerë gjëra të domosdoshme, për të marrë kujdes mjekësor, si dhe për të shkuar në punë ose shkollë nëse është e patjetërsueshme prezenca fizike./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme