Një gjykatë apeli vendosi të mërkurën të mbajë në fuqi vendimin e fajësisë për ish presidentin francez Nicolas Sarkozy për financim të paligjshëm të fushatës së tij të pasuksesshme zgjedhore në vitin 2012.
Sarkozy u gjend fajtor nga një gjykatë e nivelit më të ulët në shtator 2021, e cila e dënoi atë me një vit burgim në shtëpi për financimin e paligjshëm të fushatës elektorale. Gjykata kishte vendosur se zoti Sarkozy mund ta vuante dënimin njëvjeçar në shtëpi, ku do të mbante në trup një pajisje elektronike monitorimi.
Gjykata e Apelit e Parisit e dënoi të mërkurën zotin Sarkozy me një vit burgim, nga i cili u shkurtuan gjashtë muaj. Avokati i ish presidentit tha se vendimi do të apelohej nga Gjykata e Kasacionit, niveli më i lartë gjyqësor i Francës. Ndërsa vazhdon procesi i apelimit, zoti Sarkozy nuk mund të burgoset.
“Nicholas Sarkozy është krejtësisht i pafajshëm për akuzat ndaj tij”, tha Vincent Desry, avokat i ish-presidentit, pas vendimit të marrë të mërkurën.
Sarkozy ishte president i Francës në periudhën 2007 – 2012. Ai ka mohuar me forcë të ketë bërë ndonjë shkelje.
Ai ishte akuzuar se shpenzoi pothuajse dyfishin e maksimumit të lejuar, rreth 27.5 milionë dollarë, në fushatën për rizgjedhjen, kur humbi përballë socialistit Francois Hollande.
Gjykata u shpreh se zoti Sarkozy ishte në dijeni të tavanit ligjor dhe se me vullnetin e tij nuk ushtroi mbikëqyrjen e duhur ndaj shpenzimeve të mëtejshme.
Në një tjetër çështje gjyqësore në vitin 2021, zoti Sarkozy u gjend fajtor për korrupsion dhe ushtrim të paligjshëm të influencës. Një gjykatë apeli konfirmoi vitin e kaluar vendimin për shpalljen e tij fajtor, duke e dënuar me një vit burgim, si dhe dy vite të tjera me kusht. Zoti Sarkozy e apeloi edhe këtë vendim në Gjykatën e Kasacionit, e cila e anuloi atë.
Kjo ishte hera e parë në historinë moderne të Francës që një ish president gjendej fajtor në një proces gjyqësor dhe dënohej me burg për veprimtari të kryer gjatë kohës kur ishte në detyrë. Paraardhësi i zotit Sarkozy, Jacques Chirac, u gjend fajtor në vitin 2011 për shpërdorim të fondeve publike gjatë periudhës që ishte kryebashkiak i Parisit dhe u dënua me dy vite burgim me kusht./VOA
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...