Gjykata e Pakistanit nxjerr jashtë ligjit testet e virgjërisë

12:59 | 6 Janar 2021
Arbresh.info

Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë mirëpritur vendimin nga gjykata e Pakistanit për t’i bërë të paligjshme të ashtuquajturat testet e virgjërisë në ekzaminimet e përdhunimit.

Vendimi, që aplikohet në provincën e Punjabit, do t’i japë fund kontrolleve fizike për himenin e paprekur dhe për testin dy gishtor invaziv, transmeton portali arbresh.info

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Lahore, Ayesha Malik tha se testet ishin “poshtëruese” dhe “nuk kishin asnjë vlerë mjekoligjore”.

Vendimi pasoi dy peticione të paraqitura në provincën Punjab nga aktivistë të të drejtave.

Aktivistët kanë kërkuar prej kohësh që t’i japin fund testeve të virgjërisë si pjesë e vlerësimit mjekësor në rastet e përdhunimit, duke thënë se ato nuk kanë asnjë bazë shkencore.

Vendimi i së hënës zbatohet në Punjab por mund të shërbejë si një precedent për peticione në gjykatat e tjera të larta provinciale. Një peticion i ngjashëm aktualisht është në pritje në Gjykatën e Lartë Sindh.

Sameer Khosa, një avokat që përfaqëson kërkuesit në çështjen Lahore, i tha BBC se vendimi kishte “vendosur shumë qartë që testi i virgjërisë nuk ka vlerë mjeko-ligjore në asnjë rast që përfshin dhunën seksuale”.

Khosa tha se ai shpresonte që autoritetet përkatëse “do të rivendosnin procedurat e tyre në dritën e këtij vendimi dhe do t’i thonin lamtumirë testeve të virgjërisë përgjithmonë”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme