Gjykata e Lartë amerikane vendosi njëzëri të enjten se tre myslimanë që ishin përfshirë në listën e qeverisë amerikane për personat që nuk lejohen të fluturojnë sepse nuk kishin pranuar të shërbenin si informantë të FBI-së, mund të hedhin në gjyq agjentët për dëmshpërblime monetare.
Gjykatësi konservator Clarence Thomas, zë i fortë për të drejtën e lirisë civile, shkroi opinionin e gjykatës ku thuhej se tre individët mund të ngrenë padi në bazë të ligjit të vitit 1993 për lirinë e besimit.
Ligji, i njohur si Akti për Rikthimin e Lirisë së Besimit, lejon që pala akuzuese “të marrë dëmshpërblime monetare nga zyrtarët federalë,” shkruante Gjykatësi Thomas në opinionin e tij me 11 faqe.
Ky ishte i fundit ndër një numër vendimesh në mbështetje të lirisë së fesë të marra kohët e fundit nga Gjykata e Lartë.
Anëtarja më e re e gjykatës, konservatorja Amy Coney Barrett, nuk mori pjesë në këtë çështje, pasi debatimi i saj kishte filluar para se gjykatësja të bënte betimin si anëtare.
Aktivistët myslimano-amerikanë për të drejtat e njeriut e përshëndetën vendimin.
“Vendimi i sotëm i njëzëshëm i Gjykatës së Lartë është fitore për myslimano-amerikanët dhe njerëz të të gjitha besimeve,” komentoi në Twitter Keshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islamike. “Ne mundemi dhe duhet të mbajmë përgjegjës agjentët e qeverisë amerikane për diskriminim fetar”.
FBI-ja nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Tre personat, Muhammad Tanvir, Jameel Algibhah dhe Naveed Shinwari ngritën padi ndaj zyrtarëve qeveritarë dhe 25 agjentëve të FBI-së dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare në 2014.-ën. Ata kanë ngritur pretendimin se u vunë në listën për personat që nuk lejoheshin të fluturonin pasi kishin kundërshtuar në mënyrë të përsëritur presionin e FBI-së për të spiunuar anëtarët e komunitetit të tyre. Ata thanë se një akt i tillë do të ishte shkelje e bindjeve të tyre fetare.
Lista, e krijuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, përfshin emrat e mijëra vetëve të cilëve nuk iu lejua të udhëtonin me avionë komercialë në Shtetet e Bashkuara. Grupet për të drejtat e njeriut kanë ngritur disa herë padi ndaj qeverisë lidhur me këtë listë, duke argumentuar se në të janë përfshirë individë të pafajshëm.
Në padinë e tyre tre individët argumentonin se qeveria kishte shkelur të drejtat e tyre në bazë të Aktit për Rikthimin e Lirisë Fetare. Ky ligj nuk i lejon qeverisë të vendosë “një barrë të rëndë” mbi ushtrimin e lirisë së besimit të një individi.
Autorët e aktpadisë i kërkuan gjykatës të urdhërojë Departamentin e Sigurisë Kombëtare të heqë emrat e tyre nga lista e ndalim-fluturimeve dhe kërkuan dëmshpërblim për humbje të të ardhurave dhe koston e biletave që kishin blerë por nuk mund t’i përdornin.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare i hoqi emrat e tyre nga lista pasi u paraqit padia. Por gjykata federale e hodhi poshtë kërkesën e tyre për dëmshpërblim, duke deklaruar se ata nuk mund të hedhin në gjyq agjentë individualë të FBI-së. Një gjykatë e shkallës së apelit e anuloi këtë vendim. Gjykata e Lartë mbajti në fuqi vendimin e gjykatës së apelit.
Tre individët e palës akuzuese u shprehën të çliruar:
“Kam një ndjenjë lehtësimi,” shkruante zoti Tanvir në një deklaratë të nxjerrë nga Qendra për të Drejta Kushtetuese, e cila i përfaqësoi në gjyq tre akuzuesit. “Kam ndërtuar jetën në këtë vend, këtë nuk e bëra thjesht për vete, por për të gjithë. Nuk dua që FBI-ja t’ia bëjë dikujt tjetër atë që më bëri mua”./voa
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...
Rron Broja, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...
ASHAK zgjedh anëtarët e rinj
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...