Gjykata e Lartë duket e prirur të refuzojë përpjekjet për të mbajtur jashtë zgjedhjeve ish-Presidentin Donald Trump.
Një vendim përfundimtar për zotin Trump, i cili udhëheq garën presidenciale tek republikanët, do t’i jepte fund përpjekjeve në shtetet Kolorado, Mein e të tjerë, për përjashtimin e tij nga fletët e votimit.
Gjykatës konservatorë dhe liberalë ngritën pikëpyetje të enjten nëse ish-Presidenti mund të përjashtohet nga e drejta për t’u zgjedhur sërish President, për shkak të rolit të tij në trazirat 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol.
Shqetësimet e tyre kyçe lidheshin me faktin nëse Kongresi duhet të veprojë përpara se sa shtetet të mund të përdorin një dispozitë kushtetuese që u hartua pas Luftës Civile, sipas së cilës, ish – zyrtarët të cilët janë “përfshirë në kryengritje” përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur. Pati po ashtu pyetje lidhur me faktin nëse kjo dispozitë kushtetuese mund të zbatohet ndaj një Presidenti.
Gjykatësja Elena Kagan ishte mes gjykatësve që kërkoi të dinte se “përsë një shtet mund të vendoste se kush mund të zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara”.
Tetë nga nëntë gjykatës sugjeruan se ishin të hapur ndaj së paku disa prej argumenteve të dhëna nga Jonathan Mitchell, avokati i zotit Trump në Gjykatën e Lartë. Do të mjaftonte që gjykatësit të arrijnë në përfundimin se edhe vetëm një nga këto argumente është bindës, që zoti Trump të fitojë çështjen.
Vetëm gjykatësja Sonia Sotomayor u duk se mund të votonte për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë të Kolorados, e cila arriti në përfundimin ie zoti Trump “u përfshi në kryengritje” dhe përjashtohet nga e drejta për t’u zgjedhur. Gjykata e këtij shteti vendosi se emri i zotit Trump nuk duhet të figurojë në fletët e votimit për zgjedhjet paraprapke republikane në këtë shtet, në 5 mars.
Gjykatësit pothuajse nuk i kushtuan kohë diskutimit nëse zoti Trump në fakt “u përfshi në kryengritje” pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Padia për të mos lejuar kandidimin e Trump u depozitua nga një grup votuesish në Kolorado. Përfaqësuesi i tyre, Jason Murray vuri në dukje faktin se zoti Trump nxiti sulmin ndaj Kapitolit për të penguar transferimin paqësor të pushtetit “për herë të parë në histori”.
Avokati Mitchell argumentoi se trazirat e Kapitolit nuk ishin kryengritje, por edhe në rast se do të ishin të tilla, zoti Trump nuk mori pjesë në to.
Zoti Trump, duke folur për gazetarët pas shqyrtimit të agrumentave në Gjykatën e Lartë, tha se “seanca ishte e bukur për t’u ndjekur për disa aspekte”, edhe pse ai u ankua për ngritjen e kësaj çështjeje.
“Shpresoj se në këtë vend demokracia do të vazhdojë,” u tha ai gazetarëve në klubin e tij Mar-a-Lago të Floridës.
Gjykatësit dëgjuan për më shumë se dy orë argumentet në çështjen që bazohet në pikën 3 të amendamentit 14 të Kushtetutës.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Robert ngriti shqetësimin se një vendim i tillë kundër zotit Trump mund të nxiste përpjekje për të përjashtuar kandidatë të tjerë nga zgjedhjet dhe “në disa raste këto përpjekje mund të rezultonin të suksesshme”.
Avokatët e zotit Trump argumentuan se ky amendament kushtetues nuk mund të shfrytëzohet për t’i hequr zotit Trump të drejtën për t’u zgjedhur, për një sërë arsyesh.
Së pari, ata thonë se trazirat e 6 janarit nuk ishin kryengritje, por edhe në rast se do të përbënin kryengritje, ai nuk mori pjesë. Po ashtu, kjo dispozitë, sipas tyre nuk vlen për presidentët dhe kandidatët për president.
Ata thonë, se edhe nëse për të gjitha këto arsyetime, e kanë gabim, i takon Kongresit që të vendosë se si duhet të zbatohet kjo klauzolë e kushtetutës./voa
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...