Gjykata e Lartë e Kolorados: Trump nuk mund të jetë në fletën e votimit për shkak të rolit në trazirat në Kapitol

07:29 | 20 Dhjetor 2023
E.G

Gjykata e Lartë e Kolorados vendosi të martën që emri i ish-Presidentit Donald Trump nuk mund të jetë në fletën e votimit në zgjedhjet paraprake në atë shtet më 5 mars për shkak të rolit të tij në trazirat e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga mbështetësit e tij. Vendimi historik ka gjasa që të shkojë për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados, 4 me 3, e cilëson zotin Trump si kandidatin e parë presidencial në historinë e Shteteve të Bashkuara që të konsiderohet i papërshtatshëm për Shtëpinë e Bardhë, sipas një dispozite të Kushtetutës amerikane të përdorur rrallë herë që i ndalon zyrtarët e përfshirë në “trazira ose rebelim” që të mbajnë poste publike.

Gjykata arriti në përfundimin se Kushtetuta amerikane e ndalon përfshirjen e emrit të kandidatit kryesor republikan në fletën e votimit në Kolorado për shkak të rolit të tij në nxitjen e dhunës kundër qeverisë amerikane.

“Nuk është e lehtë për ne që t’i marrim këto vendime”, shkruan katër gjyqtarët. “Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë dhe peshën e pyetjeve që shtrohen. Ne jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm për detyrën tonë solemne për të zbatuar ligjin, pa frikë apo favore, dhe pa u ndikuar nga reagimi i publikut ndaj vendimeve që i kërkon ligji. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm se gjendemi në një territor të paeksploruar dhe se ky rast paraqet disa çështje të përshtypjes së parë”.

Gjykata në Kolorado tha se vendimi do të jetë i pezulluar deri më 4 janar të vitit 2024, për të mundësuar apelimin e vendimit. Fushata e zotit Trump e quajti vendimin e gjykatës “të gabuar” dhe “jodemokratik” dhe tha se do ta apelonte.

“Gjykata e Lartë e Kolorados mori një vendim krejtësisht të gabuar dhe së shpejti do ta apelojmë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, si dhe njëkohësisht do të kërkojmë pezullimin e këtij vendimi thellësisht jodemokratik”, tha një zëdhënës nga fushata e zotit Trump.

Një nga gjykatësit që votoi kundër vendimit, Carlos Samour, tha përmes një opinioni të gjatë se një padi nuk është një mekanizëm i drejtë në përcaktimin nëse zoti Trump kualifikohet të jetë në fletën e votimit, sepse i heq atij të drejtën për një proces të rregullt ligjor, duke theksuar se ai nuk është dënuar nga një juri për trazira.

“Edhe nëse jemi të bindur se një kandidat ka kryer akte të tmerrshme në të kaluarën – guxoj të them, i përfshirë në trazira – duhet të ketë një proces të rregullt procedural përpara se të mund ta shpallim atë individ të skualifikuar nga mbajtja e postit publik”, tha gjykatësi Samour.

Vendimi ka të bëjë vetëm me zgjedhjet paraprake republikane në atë shtet më 5 mars, por ka të ngjarë që të ndikojë përfundimisht edhe në statusin e zotit Trump për zgjedhjet e përgjithshme presidenciale të 5 nëntorit 2024.

Sipas parashikimeve nga hulumtuesit jopartiakë të zgjedhjeve, shteti Kolorado është një bastion i demokratëve, që do të thotë se Presidenti Biden e ka të sigurt fitoren pavarësisht fatit të zotit Trump.

Çështja u ngrit nga një grup votuesish të Kolorados, të ndihmuar nga grupi “Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë në Uashington” (CREW), të cilët argumentuan se zoti Trump duhet të skualifikohet si rezultat i nxitjes së mbështetësve të tij për të sulmuar Kapitolin në një përpjekje të dështuar për të penguar transferimin e pushtetit presidencial tek zoti Biden pas zgjedhjeve të vitit 2020.

Presidenti i organizatës CREW, Noah Bookbinder tha në një deklaratë se vendimi i gjykatës është “jo vetëm historik dhe i justifikuar, por është i nevojshëm për të mbrojtur të ardhmen e demokracisë në vendin tonë”.

Fushata e zotit Trump i ka dënuar sfidat e mbështetura tek Amendamenti i 14-të i Kushtetutës si një përpjekje për t’u mohuar të drejtën miliona votuesve për të zgjedhur të preferuarin e tyre për president.

Vendimi është një fitore për grupet dhe votuesit që e kundërshtojnë zotin Trump, të cilët kanë ngritur sfida të ngjashme ligjore në bazë të dispozitës së Amendamentit 14 të miratuar pas Luftës Civile.

Gjykatat në disa shtete i kanë hedhur poshtë disa aktpadi që kërkonin përjashtimin e zotit Trump nga votimet paraprake./voa/

Të ngjashme