Gjyqtarët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë hapën të enjten seancën dyditore në rastin e ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzoi Izraelin për gjenocid në luftën e tij në Gazë.
Izraeli e ka hedhur poshtë akuzën.
Avokatët për Afrikën e Jugut u kërkuan gjyqtarëve që të vendosin urdhra paraprakë detyrues ndaj Izraelit, duke përfshirë ndalimin e menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë.
Një vendim për këtë ka të ngjarë të marrë javë të tëra.
“Gjenocidet nuk deklarohen kurrë paraprakisht, por kjo gjykatë ka prova gjatë 13 javëve të fundit që tregojnë, në mënyrë të padiskutueshme, një model sjelljeje dhe synimi të bazuar që e justifikon si një pretendim të besueshëm të akteve gjenocidale,” u tha gjyqtarëve avokatja afrikano-jugore, Adila Hassim para audiencës në dhomën e Pallatit të Paqes në Hagë.
“Asgjë nuk do t’i ndalojë vuajtjet përveç një urdhri nga kjo gjykatë”, tha ajo.
Afrika e Jugut këmbënguli që Izraeli kreu gjenocid sipas planit.
“Shkalla e shkatërrimit në Gaza, shënjestrimi i shtëpive familjare dhe i civilëve, lufta si luftë kundër fëmijëve, të gjitha e bëjnë të qartë se qëllimi gjenocidal është kuptuar dhe është vënë në praktikë. Synimi i artikuluar është shkatërrimi i jetës palestineze”, tha avokatja Tembeka Ngcukaitobi.
“Cili shtet do të pranonte një qëllim gjenocidal? Megjithatë, tipari dallues i këtij rasti nuk ka qenë heshtja si e tillë, por përsëritja dhe përsëritja e fjalës gjenocidale në çdo sferë të shtetit në Izrael”, tha ajo.
Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 23.200 palestinezë në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi.
Para fillimit të seancës, qindra protestues pro-izraelitë marshuan në afërsi të ndërtesës së gjykatës me pankarta ku shkruhej “Sillini në shtëpi”, duke iu referuar pengjeve që po i mban ende Hamasi. Mes turmave, njerëzit mbanin flamuj izraelitë dhe holandezë.
Jashtë gjykatës, të tjerë po protestonin dhe tundnin flamurin palestinez në mbështetje të Afrikës së Jugut.
Mosmarrëveshja ka të bëjë me identitetin kombëtar të Izraelit, si një shtet hebre i krijuar pas gjenocidit nazist në Holokaust. Po ashtu, përfshin identitetin e Afrikës së Jugut: Partia e saj qeverisëse, Kongresi Kombëtar Afrikan, i ka krahasuar prej kohësh politikat e Izraelit në Gaz dhe në Bregun Perëndimor me historinë e tij nën regjimin e aparteidit të sundimit të pakicës së bardhë, i cili kufizoi shumicën e e njerëzve me ngjyrë në “atdhe” para se të përfundonte në vitin 1994.
Edhe pse i konsideron të padrejta dhe të njëanshme gjykatat e OKB-së dhe tribunalet ndërkombëtare, Izraeli ka dërguar një ekip të fortë ligjor për të mbrojtur operacionin e tij ushtarak të nisur pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi.
Ndërsa i mohoi fuqishëm akuzat dhe tha se nuk ka gjasa të zbatojë ndonjë urdhër nga gjykata për t’i ndalur operacionet, Izraeli ka të ngjarë të frikësohet se çdo urdhër i tillë do të ishte një goditje për pozitën e tij ndërkombëtare.
Ekipi ligjor i Izraelit do të ketë tri orë kohë, të premten në mëngjes, për të hedhur poshtë akuzat.
Afrika e Jugut u përpoq menjëherë ta zgjeronte çështjen përtej kufijve të ngushtë të luftës së vazhdueshme Izrael-Hamas.
“Dhuna dhe shkatërrimi në Palestinë dhe Izrael nuk filloi më 7 tetor 2023. Palestinezët kanë përjetuar shtypje dhe dhunë sistematike për 76 vjetët e fundit”, tha ministri i Drejtësisë i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola.
Vusimuzi Madonsela, bashkudhëheqës i delegacionit të Afrikës së Jugut, tha se “në fillim, Afrika e Jugut pranon se aktet dhe mosveprimet gjenocidale nga shteti i Izraelit në mënyrë të pashmangshme janë pjesë e një vazhdimësie të akteve të paligjshme të kryera kundër popullit palestinez që nga viti 1948”, kur Izraeli shpalli pavarësinë e tij.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, publikoi një video-deklaratë të mërkurën mbrëma duke mbrojtur veprimet e vendit të tij.
“Izraeli nuk e ka ndërmend të pushtojë përgjithmonë Gazën ose ta zhvendosë popullsinë e tij civile”, tha ai duke shtuar se:
“Izraeli po i lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze, dhe ne po e bëjmë këtë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.”
Ai tha se ushtria izraelite “po bën të pamundurën për të minimizuar viktimat civile, ndërsa Hamasi po bën çmos për t’i maksimizuar ato duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore”.
Rreth dy të tretat e të vdekurve janë gra dhe fëmijë, thonë zyrtarët shëndetësorë.
“Nënat, baballarët, fëmijët, vëllezërit e motrat, gjyshërit, hallat, kushërinjtë shpesh vriten të gjithë së bashku. Kjo vrasje nuk është asgjë më pak se shkatërrimi i jetës së palestinezëve. Është shkaktuar me dashje. Askush nuk kursehet. As foshnjat e porsalindura”, tha avokatja afrikano-jugore Adila Hassim.
“Asgjë nuk do t’i ndalë vuajtjet përveç një urdhri nga kjo gjykatë. Pa një tregues të masave të përkohshme, mizoritë do të vazhdojnë me Forcën e Mbrojtjes izraelite që tregon se synon të ndjekë këtë kurs veprimi për të paktën një vit”, tha ajo.
Vetë Izraeli e ka përqendruar gjithmonë vëmendjen në vetë sulmet e 7 tetorit, kur luftëtarët e Hamasit sulmuan disa komunitete në Izrael dhe vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë. Ata rrëmbyen edhe rreth 250 persona të tjerë, gati gjysma prej të cilëve janë liruar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e hodhi poshtë rastin si “të pameritë” gjatë një vizite në Tel Aviv, të martën.
“Është veçanërisht e hidhur, duke pasur parasysh se ata që po sulmojnë Izraelin – Hamasi, Hezbollahu, Huthit, si dhe mbështetësi i tyre Irani – vazhdojnë të bëjnë thirrje për asgjësimin e Izraelit dhe vrasjen masive të hebrenjve”, tha ai.
Gjykata ndërkombëtare, e cila vendos për mosmarrëveshjet midis kombeve, nuk e ka gjykuar kurrë një vend si përgjegjës për gjenocid.
Në vitin 2007, vendosi se Serbia “shkeli detyrimin për të parandaluar gjenocidin” në masakrën e korrikut 1995 nga forcat serbe të Bosnjës, ndaj më shumë se 8.000 burrave dhe djemve të Srebrenicës.
Afrika e Jugut “do të ketë një kohë të vështirë për të kapërcyer pragun” për të dëshmuar gjenocidin, tha McIntyre.
“Nuk është thjesht një çështje e vrasjes së një numri të madh njerëzish”, shtoi ajo në një email për Associated Press.
“Duhet të ketë një qëllim për të shkatërruar një grup njerëzish (të klasifikuar sipas racës ose fesë për shembull) tërësisht ose pjesërisht, në një vend të caktuar”, tha ajo.
Një konventë e gjenocidit u hartua në vitin 1948 pas Luftës së Dytë Botërore dhe vrasjes së gjashtë milionë hebrenjve gjatë Holokaustit. Si Izraeli, ashtu edhe Afrika e Jugut, e kanë nënshkruar atë.
Në dosjen e saj me shkrim, Afrika e Jugut thotë se iu drejtua gjykatës “për të vendosur përgjegjësinë e Izraelit për shkeljet e konventës së gjenocidit; për ta mbajtur atë plotësisht përgjegjës sipas së drejtës ndërkombëtare për këto shkelje” dhe për të “siguruar mbrojtjen urgjente dhe më të plotë të mundshme për palestinezët në Gazë, të cilët mbeten në rrezik të madh dhe të menjëhershëm nga vazhdimi i akteve të mëtejshme të gjenocidit”.
Gjykata e OKB-së (ICJ), me seli në një periferi të Hagës, në Holandë, merret me mosmarrëveshjet midis kombeve.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e vendosur pak më larg në të njëjtin qytet holandez, ndjek penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid./rel/
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...