Google ADS

GJND-ja vendos që ka juridiksion për hetimin e krimeve të luftës në Palestinë, reagon Izraeli

10:38 | 6 Shkurt 2021
S D

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori vendim të premten se ka juridiksion për hetimin e krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera në territoret palestineze, duke e hapur rrugën për fillimin e hetimeve kriminale.

Prokurorja e kësaj gjykate, Fatou Bensouda, që më parë kishte bërë thirrje për hetime, duke thënë se ekziston bazë e arsyeshme për të besuar se në atë pjesë të botës kanë ndodhur krime lufte, shkruan BBC.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, reagoi duke e kritikuar këtë vendim. “Gjykata në vendimin e saj e dëmton të drejtën e vendeve demokratike që ta mbrojnë veten”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, vendimi u mirëprit nga zyrtarët palestinezë. “Ky vendim është një fitore për drejtësinë dhe njerëzimin, për vlerat e së vërtetës, drejtësisë dhe lirisë, për gjakun e viktimave dhe për familjet e tyre”, tha kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh.

Izraeli nuk është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe e refuzon juridiksionin e saj. Autoritetet e këtij vendi u zotuan se do t’i mbrojnë të gjithë qytetarët dhe ushtarët nga ndjekja penale e gjykatës që e quajtën “organ politik”.

Në vendimin e saj, zonja Bensouda tha se sipas një hulumtimi preliminar, janë grumbulluar të dhëna të mjaftueshme për t’i plotësuar të gjitha kriteret për fillimin e hetimeve dhe se ajo është e kënaqur që ekziston një bazë e arsyeshme për të vazhduar me hetime.

GjND-ja i ka hulumtuar ato që i ka cilësuar si krime luftë të kryera nga Izraeli që nga qershori i vitit 2014, një muaj para një lufte mes Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza. Në këtë luftë u vranë 2.251 palestinezë, përfshirë 1.462 civilë, dhe 67 ushtarë e gjashtë civilë izraelitë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme