Izraeli mbrojti ofensivën ushtarake kundër Hamasit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ndërsa iu përgjigj akuzave se po kryen gjenocid kundër palestinezëve. Dita e dytë e procesit, që u nis mbështetur në akuzën e Afrikës së Jugut, vazhdoi me argumentet e palës izraelite e cila kërkoi nga gjyqtarët që ta hedhin poshtë padinë dhe të mos kërkojnë pezullimin e operacionit ushtarak në Gazë pasi kjo do e linte Izraelin të pambrojtur ndaj sulmeve të grupit militant palestinez, Hamas dhe grupeve të tjera që veprojnë në Gazë.
Izraeli i hodhi poshtë të premtën si të rreme dhe “të shtrembëruara” akuzat e ngritura nga Afrika e Jugut në gjykatën e lartë të OKB-së se operacionet e tij ushtarake në Gazë janë fushatë gjenocidi e drejtuar nga shteti kundër popullsisë palestineze.
Izraeli u bëri thirrje gjyqtarëve që të hedhin poshtë kërkesën e Afrikës së Jugut për të ndalur ofensivën e saj, duke thënë se kjo do ta linte atë të pambrojtur.
“Pala akuzuese ka kërkuar të përdorë këtë term, në lidhje me sjelljen e Izraelit në një luftë që nuk e filloi ai dhe nuk e donte. Një luftë në të cilën Izraeli po mbrohet kundër Hamasit, Xhihadit Islamik Palestinez dhe organizatave të tjera terroriste, brutaliteti i të cilave nuk njeh kufij”, u shpreh para gjyqtarëve Tal Becker, këshilltar ligjor në Ministrinë e Jashtme të Izraelit.
Afrika e Jugut e akuzon Izraelin për shkeljen e konventës së gjenocidit të vitit 1948, e miratuar pas vrasjes së miliona hebrenjve, e cila kërkon prej të gjitha vendeve të marrin masa që krime të tilla të mos përsëriten kurrë më.
Ndonëse një vendim i gjykatës do të kërkojë vite, Afrika e Jugut kërkon nga gjykata në Hagë të urdhërojë pezullimin e menjëhershëm të ofensivës ushtarake të Izraelit.
Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Izraelit Gilad Noam, ndërsa iu drejtua gjyqtarëve e pranoi se konflikti i armatosur ka pasoja tragjike për civilët nga të dyja palët, por ai hodhi poshtë përpjekjen për ta klasifikuar atë si gjenocid. Ai tha se edhe kërkesa për të detyruar Izraelin që të ndërpresë operacionin e tij ushtarak është e “pabazuar në ligj”.
“Pranimi i kërkesës nuk do të forconte angazhimin për të parandaluar dhe ndëshkuar gjenocidin, por do ta dobësonte atë. Do ta kthente një instrument të miratuar nga komuniteti ndërkombëtar për të parandaluar tmerret që tronditën ndërgjegjen e njerëzimit gjatë Holokaustit, në një armë në duart e grupeve terroriste që nuk kanë respekt për njerëzimin apo ligjin”, tha zoti Noam.
Izraeli e nisi ofensivën ushtarake ajrore dhe më pas atë tokësore në përgjigje të sulmit terrorist të 7 tetorit gjatë të cilit militantët e Hamasit vranë 1200 njerëz, shumica civilë dhe morën mbi 240 persona peng.
Ofensiva izraelite, sipas të dhënave të Hamasit, që nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, njoftohet të ketë vrarë mbi 23 mijë njerëz.
Zyrtarisht, aleati kryesor i Izraelit, Uashingtoni nuk është dakord me akuzën për gjenocid. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, e quajti akuzën e Afrikës së Jugut si “të pabazë”.
Në Uashington megjithatë nuk ka konsensus me këtë qëndrim, pasi ka disa politikanë dhe udhëheqës sindikatash që mbështesin thirrjen e Afrikës së Jugut për një armëpushim. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili dha dorëheqjen në shenjë proteste për përkrahjen e SHBA-së për Izraelin, dërgoi një dokument në gjykatë në mbështetje të akuzës së Afrikës së Jugut.
“Unë nuk po argumentoj se duhet të ketë një standard të veçantë për Izraelin. Unë them se ekziston një standard global dhe ne duhet t’i mbajmë të gjithë partnerët tanë dhe veten përgjegjës sipas tij. Në rastin e Izraelit, ka ligje që po anashkalohen dhe interpretohen ndryshe dhe që duket se nuk janë në përputhje me qasjen e SHBA-së ndaj sundimit ndërkombëtar të ligjit”, thotë Josh Paul, ish-drejtor në Byronë e Çështjeve Politike dhe Ushtarake të Departamentit të Shtetit.
Mbetet e paqartë nëse Izraeli do të përfillë ndonjë vendim të mundshëm të gjyqit për t’i ndalur operacionet ushtarake në Gazë. Në rast se nuk i respekton vendimet, Izraeli mund të përballet me sanksione të Kombeve të Bashkuara, por ato mund të bllokohen nga vetoja e Shteteve të Bashkuara./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...