Propozimi i ministres socialdemokrate, Christine Lambrecht, u bë i njohur të martën, 2.2.2021. Propozimi në formën e një drafti për diskutim për ndryshimin e ligjit parashikon heqjen e nocionit “racë” nga neni tre i Kushtetutës Gjermane, ku bëhet fjalë për diskriminimin. Aty thuhet. “Askush nuk lejohet që te favorizohet ose margjinalizohet për shkak të gjinisë, prejardhjes, racës, gjuhës, atdheut e origjinës, besimit, botëkuptimit individual fetar apo politik.”
Ministrja tani propozon që në vend të fjalës “racë” të vërë “për shkaqe raciste”. Heqja e fjalës “racë” ishte kërkuar edhe një vit më parë nga partia ekologjiste, Të Gjelbrit. Studime të ndryshme, si ai I bërë në vitin 2019 nga Universiteti i Jenas në Gjermani, arrijnë në përfundimin se raca është një nocion racist, e jo biologjik: Nocioni racë rrjedh nga racizmi dhe nuk është premisë e tij.
Në Gjermani ndjeshmëria për tema të tilla është e larte, edhe për shkak të së kaluarës naziste, ku në emër të ideologjive raciste u krye krimi më i madh kundër njerëzimit, ai i shfarosjes, kryesisht të hebrenjve, por edhe pakicave të tjera, si sinti dhe romët. Termi racë është në „thelb i kontaminuar”, tha para ca kohësh Hendrik Cremer, nga Instituti I Te drejtave të Njeriut në Berlin, në një intervistë për DW
Sipas agjencisë së lajmeve dpa, propozimi i hedhur më parë për ta zëvendësuar termin “racë” me “etni”, nuk është pranuar nga ministria socialdemokrate. Sepse diskriminimi për shkaqe etnike nuk mbron nga diskriminimi për shkaqe raciste.
Shoqatat përkatëse janë lutur të japin me shkrim ekspertizat e tyre, por si ato, ashtu edhe pjesëtarë të opozitës nuk janë të kënaqura me termin e zgjedhur nga Lambrecht. Instituti gjerman për të drejtat e njeriut ka dhënë një deklaratë për Legal Tribune Online, ku thotë se varianti i ri e ul nivelin e mbrojtjes nga diskriminimi, Ai mbron vetëm nga diskriminimi i bërë me motive raciste, por në fakt, sipas një zëdhënëseje të Institutit, diskriminim racist ka edhe kur nuk ka motive raciste, bën të ditur agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Por edhe përfaqësues të partisë së koalicionit nuk janë të kënaqur me këtë zgjidhje. Matthias Middleberg, folësi i grupit parlamentar të CDU-së për çështje të brendshme, është ankuar për mënyrën e shpejtë me të cilën u bë publik drafti, pa u marrë vesh që më parë me ministrinë e brendshme. Middelberg është shprehur për agjencinë gjermane të lajmeve dpa, se Lambrecht mesa duket është e interesuar “për reklamë” më shumë se për të ndryshuar ligjin. Edhe liberalët dhe të Gjelbrit, që janë në opozitë, ishin shprehur skeptikë ndaj propozimit. Ndërkohë që socialdemokratët janë treguar optimistë se do të arrijnë ta kalojnë ndryshimin e ligjit qysh në fund të shkurtit. DW
Çitaku në 4-vjetorin e arrestimit të Thaçit e Veselit: Diell...
Pse votohet të martën në zgjedhjet amerikane?
Zëvendëskryeministri i Luksemburgut i sjell Kurtit napolitan...
U tha se ka dhënë dorëheqja pas paraqitjes në SPAK, kryebash...
Ish-drejtori i Arsimit në Drenas i akuzuar për korrupsion th...
Nga marrëveshja për emigrantët te zgjedhjet në SHBA, Rama in...