Google ADS

Gjermania shkrin njësinë speciale për shkak të aktivitetit të ekstremit të djathtë

20:24 | 3 Gusht 2020
Arbresh Info

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë shpërbëri zyrtarisht të shtunën një kompani të Komandës së Forcave Speciale (KSK), pas njoftimeve se ishte ekspozuar ndaj ideologjisë së ekstremit të djathtë dhe asaj neo-naziste.

Ekspertët thonë se kjo dëshmon se sa thellë mund të jetë ngulitur ekstremizmi në radhët e ushtrisë gjermane.

“Ky njoftim realisht pranon për herë të parë se nuk janë thjesht raste individuale në të cilat ushtarë të caktuar rezultojnë ekstremistë të djathtë, por se ekzistojnë rrjete të ekstremizmit të djathtë në Forcat e Armatosura Federale të Gjermanisë”, thotë Fabian Virchow, profesor në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Dyseldorf, njëkohësisht drejtor i Rrjetit Studimor të Ekstremizmit të Djathtë.

“Tregon se ky rrezik është nënvlerësuar sistematikisht në të kaluarën nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë”, i tha Zërit të Amerikës zoti Virchow.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, bëri njoftimin fillestar pasi shkriu kompaninë 2 të KSK-së, pas hetimit të akuzave për aktivitet të ekstremit të djathtë.

Zonja Kramp-Karrenbauer tha se hetimi kishte zbuluar se KSK-ja kishte ngritur një “mur sekreti” përreth vetes, me një “kulturë toksike të drejtuesve”.

 

Të ngjashme