Në ditët më të errëta të recesionit të vitit 2009, prodhimi industrial i Gjermanisë po shkatërrohej me një normë vjetore prej më shumë se 20 për qind. Ky ishte padyshim një shpërthim i pakapshëm por që fatmirësisht përfundoi pothuajse aq shpejt sa filloi. Rreth 10 vjet më pas, një tjetër krizë po përhapet me shpejtësi tek industria vendase, ama duket se këtë herë më e qëndrueshme e me baza të forta.
Deri më tani problemet nuk duken aq të mprehta sa në vitin 2009, kur prodhimi industrial ra me 4.2 për qind për muajin korrik, shifër kjo relativisht modeste. Megjithatë, shqetësimi është se kërkesa po goditet nga një kombinim faktorësh strukturorë e ciklikë, si ecuria e çmimeve të naftës apo kalimi në automjete elektrike. Luftërat tregtare të Trump dhe tensionet e BREXIT gjithashtu po ndikojnë shumë.
Sektori industrial i Gjermanisë kontribuon me më shumë se një të pestën e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe zakonisht është një pasuri e madhe. Por tani për tani ky motor eksporti po e zvogëlon ekonominë. Shenjat e shqetësimit janë kudo dhe sipas indeksit HIS Markit, aktiviteti prodhues gjerman ka pësuar aktualisht rënien më të ulët të dekadës, përcjell Telegrafi.
Instituti gjerman IFO gjithashtu vlerëson se më shumë se 5 për qind e kompanive prodhuese kanë ulur orarin e punës dhe rreth 12 për qind presin ta bëjnë këtë gjatë tre muajve të ardhshëm. Sipas shoqatës VDMA, një grup interesi që përfaqëson inxhinierët e vendit, porositë për makineritë gjermane ranë me 9 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit. Edhe në farmaceutikë apo sektorin e kimikateve, prodhimi i brendshëm ra me 6.5 për qind në gjysmën e parë të vitit, ndërsa prodhimi i makinave shtëpiake u tkurr me plot 12 për qind këtë vit. Eksportet automobilistike gjithashtu shënuan një rënie me 14 për qind.
ThyssenKrupp AG, një ish-xhevahir industrial për ekonominë gjermane, i cili prodhon gjithçka, që nga çeliku deri në nëndetëset apo tek pjesët e makinave, është në krizë. Gjigandi i kimikateve BASF, gjithashtu po shkurton 6 mijë vende pune dhe ka paralajmëruar humbje të thella të fitimeve.
Ndërkohë, prodhuesit gjermanë BMW AG dhe Daimler AG kanë lëshuar paralajmërime mbi reduktimin e fitimeve pasi rregullat e forta të emetimit të gazeve në ajër po i detyrojnë prodhuesit të shpenzojnë më shumë. Ata që dëmtohen vërtet nga situata janë furnitorët e tyre. Të paktën tre – Eisenmann, Weber Automotive dhe një degë e Avir Guss kanë shpallur falimentin javët e fundit duke bërë investitorët të besojnë se tashmë recesioni nuk ka më kthim pas.
Kompania që ilustron më së miri këtë krizë të ngadaltë është Continental AG. Javën e kaluar titanët e gomave dhe pjesëve të makinave njoftuan një ristrukturim masiv, i cili tha se do të prekte 20 mijë vende pune gjatë dekadës së ardhshme, ose rreth 8 për qind të fuqisë punëtore. Duke shpjeguar vendimin e tij, prodhuesi paralajmëroi një “krizë të thellë në industrinë e automobilave”. Kërkesa konsumatore është e dobët dhe kushtet e nevojshme teknologjike po ndryshojnë shpejt. Në të ardhmen do të duhen më shumë inxhinierë softuerësh dhe më pak njerëz që ndërtojnë motorët me benzinë dhe naftë.
Rivali i madh i Continental, Robert Bosch GMBH, një biznes i madh i teknologjisë diesel po përgatitet gjithashtu për trazirat në pritje. Kreu ekzekutiv Volkmar Denner tha muajin e kaluar se pritet që prodhimi i automjeteve të ngecë.
“Është ndryshe nga e kaluara. Rritja tashmë është zhdukur”, u shpreh ai.
Këto paralajmërime alarmante gjithashtu po detyrojnë qeverinë të rishqyrtojë angazhimin e saj për zgjidhjen e kërkesave për një buxhet të ekuilibruar. Javën e kaluar, kreu i grupit të lobistëve për industrinë në BDI i kërkoi Berlinit të konsiderojë një huazim shtesë për të financuar investimet publike, një herezi e pamendueshme në një kohë kur buxheti gjerman ka 30 vjet që nuk jep asgjë.
Sidoqoftë, ndryshe nga viti 2009 kur një skemë e brendshme investimi tek automjetet rriti kërkesën, aktualisht Gjermania nuk mund ta marrë lehtësisht veten nga problemet. Sot dhjetëra mijëra punë industriale të paguara mirë, po përballen me vjetërsim për shkak se gjithnjë e më shumë po synohet heqja dorë nga motori me djegie karburanti. Mjetet elektrike kanë shumë më pak pjesë dhe procesi i punës është më pak intensiv.
Dikur fuqia ekonomike e Gjermanisë u ngrit mbi makinat e shkëlqyera me benzinë dhe naftë. Heqja dorë prej tyre, pashmangshmërisht kërcënon pozicionin e vendit si “motori ekonomik i Evropës”.
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...