Gjermania: Përgjimi i telefonatës nga Rusia pasojë e një gabimi të personelit

15:03 | 6 Mars 2024
E.G

Gjermania tha të martën se gabimi nga një pjesëtar i personelit ushtarak e bëri të mundur audio regjistrimin e një telefonate të zyrtarëve të lartë ushtarakë gjermanë, të cilët po diskutonin për furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimit. Berlini e mohon se ka patur sulm të suksesshëm kibernetik ndaj sistemeve të tij të komunikimit. Aleatët perëndimorë kanë frikë se Rusia mund të ketë siguruar informacione të tjera zbulimi nga audio regjistrimi.

Gjermania u ka rezistuar thirrjeve për furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi, “Taurus”, duke thënë se kjo rrezikon përshkallëzimin e konfliktit.

Por në një audio regjistrim të publikuar javën e kaluar nga media ruse “Rusia Today”, katër oficerë të lartë gjermanë, përfshirë komandantin e forcave ajrore, dëgjohen duke diskutuar për furnizimin e Kievit me raketa.

“Mendoj se audio regjistrimi nxjerrë në pah një lloj mospajtimi në komandën e lartë mbi atë që ata e shikojnë si të mundshme kundrejt asaj që dëshiron udhëheqja politike. Pra, kjo ngre disa pyetje mbi marrëdhënien mes udhëheqjes politike dhe asaj ushtarake lidhur me ndihmën për Ukrainën”, thotë ekspertja e mbrojtjes Marina Miron nga Universiteti i Mbretëror i Londrës.

Në audio regjistrim, oficerët gjermanë diskutojnë mbi aftësinë e raketave “Taurus” për të goditur Urën e Kerçit, e cila lidh Rusinë me Krimenë.

Audio regjistrimi gjithashtu sugjeron se Britania ka dërguar një ekip ushtarak në Ukrainë për t’i stërvitur ushtarët ukrainas në përdorimin e sistemit të raketave me rreze të gjatë veprimit, “Storm Shadow”, që Londra ia ka dhënë Kievit. Qeveria britanike nuk ka bërë komente mbi këtë çështje.

Rusia pretendon se audio regjistrimi nxjerr në pah përfshirjen “kolektive të Perëndimit” në konfliktin në Ukrainë.

Berlini nuk e ka mohuar vërtetësinë e audio regjistrimit. Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius tha të martën se sistemet qeveritare të komunikimit nuk janë kompromentuar.

“Regjistrimi i telefonatës u bë për shkak të gabimit të një individi në rangun e Forcave Ajrore. Nuk janë ndjekur nga të gjithë pjesëmarrësit procedurat e realizimit të thirrjes telefonike”, tha ai.

Aleatët perëndimorë kanë ngritur shumë pyetje mbi informacionet që mund të ketë mbledhur Rusia nga kjo telefonatë.

“Nuk e dimë se çfarë informacione të tjera ka siguruar Rusia. Kjo është një telefonatë, që ata kanë vendosur ta publikojnë. Ndoshta Rusia ka njohuri mbi të gjitha dërgesat e armëve të Perëndimit për Ukrainën. Kështu që kjo është një çështje shumë serioze, veçanërisht sa i përket ndarjes së informacioneve të zbulimit mes Gjermanisë dhe vendeve të tjera partnere. Natyrisht, kjo e ndihmon Rusinë, sepse ajo nuk dëshiron një luftë të hapur me NATO-n, por një destabilizim të brendshëm të aleancës”, thotë ekspertja Marina Miron.

Publikimi i audio regjistrimit përkoi me funeralin e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq në rrethana të paqarta dy javë më parë në një burg rus në Arktik. Analistët thonë se publikimi i audio regjistrimit kishte për qëllim të largonte vëmendjen globale nga funerali i Navalnit./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme