Google ADS

Gjermania ofron të ndërmjetësojë midis Rusisë dhe Ukrainës

08:47 | 28 Nëntor 2018
Arbresh.info

Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas tha se Gjermania mund të ndërmjetësojë në mes të Ukrainës dhe Rusisë në krizën në Detin e Azovit.

Por, disa kritikë në Gjermani janë duke kërkuar nga Berlini që të ndihmojë Kievin ushtarakisht, transmeton portali arbresh.info.

Angela Merkel dhe disa anëtarë të Kabinetit të saj kanë kërkuar nga dy anët të konfliktit Ukrainë-Rusi që të de-eskalojnë, pas thirrjes së Ukrainës për më shumë mbështetje nga Gjermania dhe NATO.

Një krizë e madhe në konfliktin katërvjeçar u shkaktua të dielën kur Rusia gjuajti dhe kapi tre anije të marinës ukrainase që hynë në Detin Azov përmes Ngushticës Kerç.

Rusia akuzoi ekuipazhet për një shkelje të kufirit dhe agjencia ruse FSB tha se prania e zyrtarëve të zbulimit në bord, të pranuara nga Ukraina, përbënin një “provokim”.

Kancelarja gjermane telefonoi Vladimir Putin të hënën në mbrëmje për të theksuar “domosdoshmërinë për de-eskalim dhe dialog”, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert në një deklaratë.

Nga ana e tij, presidenti rus dënoi “sjelljen provokative” të Ukrainës dhe tha se shpresonte që Berlini mund të “ndikojë” Ukrainën për t’u përmbajtur nga veprime të tilla në të ardhmen.

Putin gjithashtu shprehu shqetësim rreth vendimit të presidentit ukrainas Petro Poroshenko për të vendosur ligjin ushtarak për 30 ditë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme