Google ADS

Gjermania ndan 750 milionë euro për zhvillimin e tri vaksinave kundër Covid-19

14:58 | 29 Korrik 2020
L G

Ministrja gjermane për Hulumtime, Anja Karliczek, ka thënë se vaksina kundër koronavirusit mund të mos jetë gati deri në mesin e vitit të ardhshëm pasi njoftoi për dhurimin e fondeve shtesë nga qeveria për punë shkencore dhe procesin e zhvillimit të vaksinës.

“Shkencëtarët janë duke punuar me një shpejtësi të pabesueshme, por natyrisht se hapat prapa janë gjithmonë të mundshëm. Nuk mund të presim mrekulli dhe shumica presin që vaksinat për shumicën e popullsisë do të jenë të gatshme vetëm në mesin e vitit të ardhshëm”, tha zonja Karliczek.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, ajo gjithashtu njoftoi se qeveria gjermane do të ofrojë përkrahje financiare për tri laboratore që tash për tash janë duke punuar në zhvillimin e vaksinave kundër koronavirusit, shkruan “CNN”.

Këto tri laboratore, të udhëhequra nga kompanitë farmaceutike “Biontech”, “Curevac” dhe “IDT Biologica”, do ta ndajnë mes vete një grant prej 750 milionë eurove, të dhuruar nga Ministria e Shëndetësisë, bëri të ditur ministrja.

Zyrtarët shpresojnë se këto fonde do të ofrojnë ndihmë për përshpejtimin e hulumtimit dhe zhvillimit të vaksinave të mundshme si dhe për rritjen e kapacitetit prodhues, shtoi zonja Karliczek.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 25 vaksina kundër koronavirusit janë duke u testuar në njerëz në nivel botëror, ndërsa 139 të tjera janë ende në fazën paraklinike të testimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme