Rimëkëmbja e Gjermanisë edhe në kushtet e pandemisë së Coronës ngre pyetje të vjetra rreth ekonomisë europiane.
Ekonomia gjermane kishte nisur të sforcohej përpara pandemisë por përgjigjja që i dha vendi tregon se ajo po ecën përpara më shumë se pjesa tjetër. Kjo ngre pikëpyetje në lidhje me një ekonomi evropiane me dy shpejtësi.
Në vitin 1947, dy vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ekonomia evropiane ishte në telashe serioze. “Ne jemi të kërcënuar nga një katastrofë totale ekonomike dhe financiare” – tha ministri francez i Ekonomisë Andre Philip, në prill të atij viti.
Kishte shumë probleme, por më i madhi ishte Gjermania. Dy vite pasi nazistët u mundën, rimëkëmbja e Gjermanisë kishte qenë e dukshme në shumë mënyra – por ekonomikisht mbeti një shportë e shpuar dhe Europa kuptoi që duhej të rivinte në lëvizje motorin e saj. Pjesërisht, plani Marshall kishte si qëllim të rikthente ekonominë gjermane në zemër të Europës.
Nga fillimi i viteve 1950 ekonomia europiane u fut në një fazë bumi, me Gjermaninë që ishte në shkëlqimin e saj. Dy dekadat që pasuan ishin ndër më të begatshmet në histori.
Viti 2020
Në vitin 2020, ekonomia evropiane e gjen veten në një moment të rëndësishëm historik dhe potencialisht të rrezikshëm. Pandemia është në zhvillim e sipër dhe rimëkëmbja ekonomike – nëse mund t’a quajmë kështu – nga goditja e rëndë e gjashtë muajve të parë të vitit, është me hope.
Megjithatë tashmë është e qartë se ekonomia gjermane po përparon shumë herë më mirë se ekuivalentët e saj më të afërt evropianë si Franca, Britania, Italia dhe Spanja. Rënia e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë tremujorit të karantinës ishte thelbësisht më e ulët se e këtyre vendeve, ndërkohë që rimëkëmbja për tremujorin e tretë të vitit parashikohet të jetë shumë më e mirë.
Pse ekonomia e Gjermanisë po ecën më mirë se ajo e fqinjëve të saj europiane – dhe a do të jetë kjo një ndihmë apo pengesë për ekonominë europiane që të shkojë përpara?
Ndihma erdhi nga “Bazooka”
Sipas Lars Feld, kryetari i Këshillit Gjerman të Ekspertëve të Ekonomisë, situata ekonomike pozitive e Gjermanisë kryesohet nga fakti se mbyllja nuk ishte kurrësesi aq strikte sa në vendet e tjera të Europës. “Pavarësisht masave të marra gjatë mbylljes, një ndërprerje e zinxhirit apo konsumi më i ulët privat si pasojë e pasigurisë të konsiderueshme, ekonomia e Gjermanisë vijoi me një pjesë të mirë të aktivitetit të saj. Për shembull industria e ndërtimit pati kufizime shumë të pakta” – i tha ai DW.
Një tjetër ndihmesë madhore është mbështetja masive financiare që qeveria gjermane siguroi për bizneset dhe qytetarët, diçka që ishte në gjendje ta bënte pas shumë vitesh kursime përsa i përket buxhetit të saj.
“Bazooka”, siç e quajti në muajin mars ministri gjerman i Financave Olaf Scholz, arriti në afro 1 trilion euro (1.16 trilion dollarë) ndihma ku përfshihet gjithçka, nga kreditë e mbështetura nga shteti e deri tek skema shumë e admiruar e vendimit për punë me orar të kufizuar.
“Ekonomia gjermane ka pasur shumë më tepër rezerva se vendet e tjera të Europës, qoftë në lidhje me hapësirën fiskale për shkak të konsolidimit të suksesshëm të financave publike në të shkuarën apo në lidhje me firmat private, të cilat kanë një bazë të shëndoshë të kapitalit në përgjithësi” – thotë Feld.
F si Fitore
Kjo ndihmon për të shpjeguar faktin se pse ministri gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier ishte kaq optimist në 1 shtator kur, duke përdorur grafikët që tregonin “rimëkëmbjen në formë V” të Gjermanisë (një rënie e fortë e ndjekur nga një rritje po aq e fortë), tha: “Recesioni në gjysmën e parë të vitit nuk ishte aq i keq saç i druheshim ndërsa rimëkëmbja, që nga pika më kulmore gjatë mbylljes, po ndodh më shpejt dhe më me dinamikë sesa kishim guxuar të shpresonim “.
Por nuk është e gjitha kaq e lehtë. Para goditjes nga pandemia, ekonomia gjermane po ngadalësohej gjithsesi. Dobësitë e stërgjatura në drejtim të eksporteve dhe sektorit të makinave ishin duke u ekspozuar nga një ngadalësim i tregtisë botërore dhe nga ndryshimet teknologjike që përfshinë industrinë e makinave.
Një sektor kyç që ndjen erërat më të forta është ai i ndërtuesve të makinerive të vendit, një ingranazh i rëndësishëm në makinerinë e eksportit gjerman. Për ta, pandemia pati një ndikim të madh. Edhe pse fabrikat nuk ishin të detyruara të mbylleshin në muajt mars dhe prill, pa një kërkesë tregu, porositë ranë ndjeshëm.
Për këtë arsye, Shoqata e Industrisë së Inxhinierisë Mekanike Gjermane, parashikoi një rënie prodhimi me 17% për mijëra anëtarët e saj në vitin 2020, me një rritje të vogël prej 2% parashikuar për vitin e ardhshëm. “Për momentin nuk ka shumë porosi të mbajtura shënim në blloqe”, i tha DW-së Ulrich Ackerman, drejtori i tregtisë së jashtme në këtë shoqatë.
Megjithatë, faktorët e përmendur më sipër, domethënë fakti që prodhimi nuk u mbyll asnjëherë dhe që punëtorët u mbështetën përmes ndërhyrjes së qeverisë, do të thotë që prodhuesit e makinerive gjermane janë në një pozitë më të fortë sesa ata të vendeve të tjera. “Në përgjithësi, ne ndoshta jemi në gjendje më të mirë se vendet e tjera. Ata kishin mbyllje të plotë dhe kjo do të thoshte se nuk mund të prodhonin më gjatë,” thotë Ackermann. “Kompanitë tona, gjithmonë, mund të prodhojnë kur të duan.”
Shteti i shëndetshëm i Europës
Në momentin kur kërkesa për tregjet jashtë Gjermanisë do të rritet, duket se kompanitë gjermane do të jenë më të gatshme se shumica për të ndërhyrë dhe për të përmbushur këto kërkesa. Kjo na kthen në pyetjen qendrore të rimëkëmbjes ekonomike me dy shpejtësi të Europës. Nëse parashikimet qëndrojnë dhe tkurrja ekonomike e Gjermanisë sivjet është më pak se homologët e saj francezë dhe jugorë, çfarë do të thotë kjo?
Argumentet midis interesave gjermane dhe jugore kanë dominuar diskutimet e BE-së mbi politikën fiskale për dekadën e fundit. Fondi i rimëkëmbjes post-pandemi prej 750 miliardë Eurosh, ishte historik për faktin se Gjermania ra dakord për herë të parë për një formë të borxhit të përbashkët evropian.
Me ekonominë e saj që rritet shumë më shpejt se ajo e Spanjës dhe Italisë, qëndron mundësia që tensionet mbi financimin dhe reformat të lidhen me vendet në vështirësi që marrin fonde të tilla. Dhe kjo mund të çojë sërish në Bruksel në debate të njohura që lidhen me borxhet dhe kursimet. Por ekziston një pamje tjetër, po aq e njohur, në lidhje me përfitimet e motorit të Gjermanisë që ecën më mirë se pjesa tjetër. “Një ekonomi e fortë gjermane mund të shërbejë si një motor ekonomik për vendet e tjera anëtare të BE, veçanërisht në lidhje me zinxhirët e vlerave të zhvilluar fort në Europë”, tha Feld.
“Shkëputja e shpejtë e ekonomisë gjermane nxit kërkesë në vendet e tjera të BE. Duhet gjithashtu të kihet parasysh, se vlera e lartë e kredisë së Gjermanisë është një rezervë e fortë për buxhetin e BE dhe bilancin e BQE, të dyja duke lejuar vendet e tjera europiane të rigjallërojnë ekonomitë e tyre pa trazira të mëtejshme, për shembull, në tregjet financiare”.
Ngjashëm si pas Luftës së Dytë Botërore, duket se Europës i leverdis më shumë që të ketë një ekonomi gjermane shumë të fortë, sesa një ekonomi shumë të dobët./DW
Ndalohen për 48 orë dy sllovakë dhe një kosovar, dyshohet se...
Krasniqi pret në takim lamtumirës Hovenierin, e falënderon p...
Abdixhiku pret në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier dhe ...
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...