Në Wittenberg u mbajt mesha qendrore për jubileun e 500-të të Reformacionit. Edhe Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Steinmeier ishin ndër të ftuarit.
500 vjet pas fillimit të Reformacionit, katolikët dhe protestantët theksuan vullnetin e tyre për një afrim të gjerë me njeri-tjetrin. Në meshën qendrore festive të protestantëve gjermanë në kishën Schlosskirche në Wittenberg, Kryetari i Këshillit të Kishës Evangjeliste në Gjermani, Heinrich Bedford-Strohm dhe kryetari i Konferencës së Ipeshkvëve Gjermanë, Kardinali Reinhard Marx i dorëzuan së bashku një kryq Presidentit Federal të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Ata e vlerësuan këtë akt si “premtim të të krishterëve” për t’u angazhuar për paqe, pajtim dhe drejtësi, tha Marx. Kisha është më e vjetër dhe më e madhe se grindja midis konfesioneve. “Ne duam të jemi fuqimisht dëshmitarë të shpresës”, tha ai.
Ftesë për Papën Françeskun
Më parë, Bedford-Strohm u zgjati simbolikisht dorën katolikëve. Para syve të Presidentit të Gjermanisë, Steinmeier dhe të Kancelares gjermane, Angela Merkel ai iu drejtua në fjalën e tij drejtpërdrejt Papës Françesk: “Kurdo që të vish këtu në Wittenberg, një gjysmë mijëvjeçari pas djegies së qarkores së shkishërimit ne do të themi me gjithë zemër mirëserdhe!” Me “Krishtin duhet folur dhe pastaj të ecet me guxim përpara”.
Sipas dokumenteve, 500 vjet më parë Martin Luteri i ngjiti 95 tezat e tij në derën e Schlosskirche të Wittenbergut – prandaj dita e Reformacionit këtë herë është ditë feste pushimi në të gjithë Gjermaninë. Luteri me këtë akt protestoi kundër praktikës së atëhershme të Kishës me tregtinë e çertifikatave të ndjesave – me të cilin mund të bleje faljen e mëkateve. Shpallja e tezave konsiderohet si fillim i Reformacionit të përbotshëm dhe i ndarjes së kishës – si rezultat i lëvizjes lindi Kisha Evangjeliste.
Zhvillime pozitive
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ikumenik të Kishave (ÖRK), Olav Fykse Tveit, e cila përfaqëson rreth 500 milionë të krishterë në të gjithë botën, ishte i pranishëm në Wittenberg. Pastori norvegjez Tveit e karakterizoi Reformacionin si “qytetare të botës”. Ai u bëri thirrje kishave që të ndërmarrin hapa të tjerë në rrugën e unitetit.
Në Poloninë me traditë katolike me rastin e 500 vjetorit të Reformacionit u zhvillua gjithashtu një meshë ikumenike. Kryetari i Këshillit Papnor për nxitjen e unitetit të të krishterëve, Kardinali Kurt Koch bëri një bilanc pozitiv të procesit ikumenik në kuadër të jubileut të 500-të të Reformacionit. Në dhjetë vitet e kaluara ka pasur zhvillime, për të cilat ai është mirënjohës, tha Koch. “Në fillim të dekadës së Luterit”, situata “dukej pak më e vështirë.”/DW/
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...
Ruben Amorim tregon mesazhin që i dha Mourinho pasi mori dre...
Zelensky: Po punojmë në zhvillimin e sistemeve të reja të mb...
Abdixhiku në QKMF-në e Prishtinës: Prezantova planin në shën...
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të...
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen