Gjermania i ka kërkuar Zvicrës që t’ia shesë asaj disa nga tanket e veta Leopard 2, tha qeveria zvicerane në 3 mars, përmes një marrëveshjeje që mund të lejojë Gjermaninë dhe vendet e tjera të rrisin ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Gjermania kërkon që Zvicra të shesë disa nga tanket te prodhuesi original i tyre, Rheinmetall, i cili do t’i lejonte kompanisë të mbështesë zbrazëtitë e krijuara në Bashkimin Evropian dhe tek anëtarët e NATO-s.
Gjermania, Polonia, Portugalia, Finlanda dhe Suedia janë ndër vendet që po dërgojnë tanke Leopard për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër pushtimit rus, duke krijuar boshllëqe në arsenalet e tyre.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe ministri i Ekonomisë Robert Habeck, informuan ministren zvicerane të Mbrojtjes Viola Amherd për projektin, përmes një letre të dërguar më 23 shkurt.
Politikanët gjermanë i kërkuan homologes së tyre zvicerane që të pajtohej me shitjen, me garancinë që tanket zvicerane nuk do të transferoheshin në Ukrainë.
“Nuk do të kishte asnjë transferim të mëtejmë të tankeve në Ukrainë”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Zvicrës.
Sipas ligjeve të saj të neutralitetit dhe një embargoje të veçantë për armët, Zvicra e ka të ndaluar të dërgojë armë direkt në Ukrainë.
Ministrja zvicerane e Mbrojtjes, Viola Amherd, u përgjigj përmes një letre më 1 mars se një shitje e mundshme e një pjese të flotës së tankeve zvicerane do të kërkonte që Parlamenti zviceran të deklaronte zyrtarisht se tanket janë jashtë shërbimit.
“Diskutimet për këtë çështje aktualisht janë duke u zhvilluar në Parlament”, shtoi zyrtari i ministrisë.
Ushtria zvicerane aktualisht ka 134 tanke Leopard 2 në shërbim dhe një 96 të magazinuara. Qeveria nuk bëri të ditur numrin e tankeve që Gjermania ka kërkuar t’i blëjë, por zyrtari zviceran tha se një gjë e tillë mund të bëhej me një numër të kufizuar të tankeve.
Asnjë informacion nuk u dha se kur Parlamenti zviceran mund të vendosë për këtë çështje, megjithëse qeveria tha se do të komentojë më tej këtë çështje të hënën, më 5 mars.
Zvicra më parë ka bllokuar kërkesat e Gjermanisë, Spanjës dhe Danimarkës për të lejuar ri-eksportimin e municioneve të prodhuara në Zvicër, në Ukrainë.
Por çështja po bëhet gjithnjë e më përçarëse në Zvicër, ku duket se Ukraina ka mbështetje të gjerë në publik dhe politikë, duke bërë që të shtohet presioni ndaj qeverisë për t’i dhënë fund ndalimit të eksporteve të armëve zvicerane në zonat e luftës.
Thirrjet nga fqinjët evropianë për Zvicrën për të lejuar transferime të tilla në Kiev janë shtuar, dhe dy komitetet e sigurisë së Parlamentit kanë rekomanduar që rregullat të lehtësohen./rel
Kreu i IAEA viziton zonat bërthamore nëntokësore të Iranit
Shkodër: Sekuestrohen gati 700 mijë euro të fshehura në dyer...
Aksident në autostradën Veternik-Bresje, lëndohen katër pers...
Rashica shënon gol në miqësoren e Shqipërisë U21 ndaj Moldav...
Kurti takon Kammerin, shprehet gatishmëri për mbështetje të ...
Tiranë, kongresi studentor: Papunësia dhe emigracioni janë p...