Gjermania i kërkon Zvicrës tanke Leopard 2

20:36 | 3 Mars 2023
K.B

Gjermania i ka kërkuar Zvicrës që t’i shesë disa nga tanket e saj Leopard II, një marrëveshje që mund të lejojë Berlinin të rrisë ndihmën e tij ushtarake për Ukrainën.

Gjermania dëshiron që Zvicra t’i shesë disa nga tanket te prodhuesi Rheinmetall, gjë që do t’i lejonte kompanisë të plotësonte boshllëqet në armatimin e anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, shkruan Blick.

Disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Portugalinë, Finlandën dhe Suedinë kanë dërguar tanke Leopard për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër sulmit rus, duke krijuar boshllëqe në arsenalet e tyre.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck informuan ministren zvicerane të Mbrojtjes, Viola Amherd për projektin në një letër të datës 23 shkurt.

Ata i kërkuan homologes së tyre zvicerane të binte dakord për shitjen, duke e garantuar se tanket nuk do të dërgohen në Ukrainë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme