Gjermania “e shqetësuar” për sulmet e regjimit sirian në Idlib

08:27 | 24 Gusht 2019
Arbresh.info

Gjermania të premten ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me sulmet e fundit ajrore nga regjimi sirian dhe Rusia në Sirinë veriperëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë një konference për media në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Rainer Breul, tha se Gjermania ishte “shumë e shqetësuar” nga përshkallëzimi i tensioneve dhe thellimi i krizës humanitare në zonën e de-eskalimit në Idlib.

Ai konfirmoi lajmin e agjencisë gjermane të lajmeve DPA në të cilin thuhet se të paktën gjashtë spitale të financuara nga Gjermania kanë qenë cak i sulmeve ajrore në muajt e fundit.

DPA raportoi se përpos këtyre spitaleve, në sulmet ajrore qëllimisht janë sulmuar edhe 12 qendra mjekësore dhe katër ambulanca të agjencisë së mbrojtjes civile Helmetat e Bardha, e cila mbështetet financiarisht nga Gjermania.

Breul theksoi se numri i personave të zhvendosur në Idlib që nga prilli i kaluar ka arritur në 590.000, duke ngritur shqetësime serioze për emergjencë të re humanitare nga shkaku i sulmeve të fundit nga regjimi dhe aleatët e tij.

Turqia dhe Rusia shtatorin e kaluar ranë dakord për ta kthyer Idlibin në një zonë de-eskalimi ku aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij vazhdimisht kanë thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së de-eskalimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme