Parlamenti gjerman nuk do të zgjasë “situatën epidemike të shtrirjes kombëtare” kur të skadojë muajin e ardhshëm, por do të mbajë në fuqi disa masa për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, thanë ligjvënësit.
Anëtarët kryesorë të parlamentit të vendit, ose Bundestagut, thanë se përkundër faktit që rastet me Covid janë rritur sërish kohëve të fundit, ata nuk shohin ndonjë arsye për të zgjatur “situatën epidemike” që u shpall për herë të parë në mars të vitit 2020 dhe që është zgjatur vazhdimisht që nga ajo kohë, transmeton portal arbresh.info
Sipas deputetëve gjermanë, situata me koronavirus ka ndryshuar rrënjësisht për faktin se rreth dy të tretat e popullsisë janë vaksinuar.
Deklarata e situatës së emergjencës shëndetësore u kishte mundësuar qeverive federale dhe shtetërore të urdhëronin masat kryesore të koronavirusit pa miratimin e parlamenteve kombëtare dhe rajonale.
“Nuk do të ketë më mbyllje shkollash, izolime apo shtetrrethime”, tha Dirk Wiese, nënkryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve të qendrës së majtë. Ai shtoi se pandemia ende duhet të trajtohet me përgjegjësi, por se kufizimet mbi të drejtat civile duhet të lehtësohen përsëri.
Pavarësisht skadimit të 25 nëntorit të “situatës epidemike”, disa masa si mbajtja e detyrueshme e maskës në hapësira publike, kufizimet për hyrjen në vende të caktuara vetëm për ata që janë vaksinuar ose mbështetja financiare për punëtorët që janë goditur rëndë nga pandemia do të qëndrojnë deri në muajin mars.
Përveç kësaj, shtetet individuale ende mund të vendosin të zbatojnë përsëri masa më të rrepta nëse është e nevojshme.
Të mrëkurën në Gjermani janë shfaqur 23.212 raste të reja me koronavirus, nga 17.015 raste një javë më parë. Më shumë se 4.5 milionë njerëz janë regjistruar si të infektuar me virusin që nga fillimi i pandemisë në Gjermani dhe 95.359 njerëz kanë vdekur./AP/arbresh.info/
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...