Gjermania: Do të kemi ushtrinë më të madhe europiane në NATO

23:12 | 28 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Gjermania është në rrugëne duhur për të ndërtuar ushtrinë më të madhe konvencionale europiane në NATO, tha sot kancelari gjerman Olaf Scholz.

Gjermania së bashku me SHBA-në aktualisht “po japin sigurisht kontributin më të madh” për NATO-n, tha lideri socialdemokrat për televizionin ARD pas samitit të G7-tës, transmeton portal arbresh.info

“Ushtria më e madhe konvecionale e NATO-s në Europë është në ndërtim e sipër dhe kjo është e rëndësishme për aftësitë e përgjithshme mbrojtëse të aleancës”, tha Scholz gjatë bisedës.

Pas pushtimit rus më 24 shkurt, qeveria gjermane njoftoi krijimin e një fondi të jashtëzakonshëm me vlerë 100 miliardë euro për modernizimin e Bundesëehr-it.

“Ne do të shpenzojmë mesatarisht nga 70 deri në 80 miliardë euro në vit për mbrojtjen”, shtoi kancelari gjerman. Gjermania do të jetë atëherë vendi që do të investojë më shumë në këtë fushë”, shtoi ai.

Vendi me ekonominë lider në Europë dëshiron të sigurojë mbrotjen e territorit të saj dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s dhe objektivin prej 2% të GDP-së për mbrojtje.

Ndarja e 100 miliardë eurove për ushtrinë kombëtare është një ndryshim i madh në politikën gjermane, e cila para pushtimit rus ngeli prapa vendeve të tjera në arritjen e objektivit prej 2 për qind, të cilin Uashingtoni e kritikoi.

Gjermania ka reduktuar ndjeshëm ushtrinë e saj që nga Lufta e Ftohtë, nga 500,000 trupa në kohën e bashkimit në 1990, në 200,000 sot./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme