Gjermania do të zbatojë kontrolle më të forta kufitare me Poloninë dhe Republikën Çeke, për të ndihmuar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, tha ministrja e brendshme gjermane të martën, ndërsa rritja e migracionit shton mbështetjen për të djathtën ekstreme përpara zgjedhjeve lokale.
Gjermania ka pranuar rreth 1 milion refugjatë ukrainas gjatë vitit të kaluar, ndërsa janë rritur ndjeshëm kërkesat për azil që nuk lidhen me Ukrainën. Autoritetet lokale thonë se po ndërtojnë banesa të reja, por kanë vështirësi për të përmbushur kërkesat.
Shqetësimet për migrimin kanë ndikuar që partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) të renditet e dyta në sondazhet mbarëkombëtare dhe e para në lindje të vendit, në prag të zgjedhjeve të 8 tetorit në shtetet Hesse dhe Bavaria.
Në një intervistë për radion publike “Deutschlandfunk”, Ministrja e Brendshme Nancy Faeser, anëtare e socialdemokratëve të qendrës së majtë të Kancelarit Olaf Scholz (SPD), tha se Gjermania do të vendosë kontrolle kufitare me Poloninë dhe Republikën Çeke.
“Ne do të përgatisim kontrolle më të forta kufitare për të luftuar më mirë trafikantët e qenieve njerëzore”, tha zonja Faeser, e cila kandidon në zgjedhjet e 8 tetorit për postin e kryeministres së shtetit Hesse.
Ajo nuk tha se kur do të zbatoheshin masat e reja. Gazeta Politico raportoi se kontrollet e reja do të shpalleshin zyrtarisht të mërkurën. Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Kancelari Scholz, partia e të cilit është prapa në sondazhet në shtetin Hesse, la të kuptohet javën e kaluar se Gjermania mund të ndërmarrë hapa për të forcuar kufirin me Poloninë, pasi i bëri thirrje qeverisë polake të sqarojë akuzat për një marrëveshje për viza me pagesë për migrantët.
Çështja pritet të bëhet një pikë grindjeje për koalicionin trepalësh të qeverisë së zotit Scholz. Partnerët e koalicionit shprehën të marën skepticizmin e tyre për planin kufitar.
Gjermania ka vendosur pika kontrolli në kufirin bavarez me Austrinë që nga kriza evropiane e emigrantëve në vitin 2015, kur më shumë se 1 milion migrantë mbërritën në vend, shumë prej të cilëve u larguan nga lufta në Lindjen e Mesme.
Kancelarja e atëhershme, konservatorja Angela Merkel, u vlerësua për politikën e saj në atë kohë. Kritikët thonë se kjo ka nxitur në rritjen e mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë, AfD, e cila pritet të fitojë në tre zgjedhje rajonale në lindje të vendit vitin e ardhshëm./voa
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi