Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se ishte i neveritur nga deklaratat e presidentit të Autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, që sipas liderit gjerman minimizuan rëndësinë e Holokaustit. Ndërkaq Izraeli tha se Abbasi deklaroi një “gënjeshtër të madhe”.
Abbas, gjatë një vizite të martën në Berlin, akuzoi Izraelin se ka kryer “50 holokauste” teksa u përgjigj në pyetjen lidhur me përvjetorin e 50-të të sulmit ndaj ekipit izraelit në Lojërat Olimpike të Mynihut, sulm i kryer nga militantët palestinezë.
“Për ne gjermanët në veçanti, çdo relativizim i singularitetit të Holokaustit është i patolerueshëm dhe i papranueshëm”, tha Scholz përmes një postimi në Twitter.
“Jam i neveritur dhe i zemëruar nga deklaratat e bëra nga presidenti palestinez, Mahmoud Abbas”, shtoi ai.
Ndërkaq, edhe kryeministri Izraelit, Yair Lapid, dënoi deklaratat, duke i cilësuar si “të turpshme”.
“Akuzat e bëra nga Mahmoud Abbas se Izraeli ka kryer ’50 holokauste’ teksa qëndroi në tokën gjermane, nuk janë vetëm turp moral, por gënjeshtër e madhe”, shkroi Lapid në Twitter.
Gjashtë milionë hebrenj u vranë në Holokaustin e Gjermanisë Naziste.
Duke qëndruar përkrah kancelarit Scholz, Abbas iu referua një serie të incidenteve në histori ku palestinezët janë vrarë nga izraelitët në luftën e vitit 1948, që u pasua me krijimin e shtetit të Izraelit, por edhe incidenteve në viteve pasuese.
“Nga viti 1947 deri në ditën e sotme, Izraeli ka kryer 50 masakra në fshatra dhe qytetet palestineze, në Deir Yasin, Tantura, Kafr Qasim e shumë të tjera, 50 masakra, 50 holokauste”, deklaroi Abbas.
Agjencia zyrtare e lajmeve palestineze, Wafa, nuk ka përfshirë në raportimin e saj për vizitën e Abbasit në Gjermani komentet për Holokausitin. Ndërkaq, Ministria e Jashtme palestineze tha se komentet e Lapidit ishin përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga “krimet” e Izraelit.
Kjo ministri tha se “forca pushtuese nuk është e kënaqur me kryerjen e këtyre krimeve në baza ditore, por po ashtu nuk toleron dhe hedh poshtë çdo bisedim apo deklaratë që ua përkujton izraelitëve dhe komunitetit ndërkombëtar për shumë krime të kryera nga Izraeli”.
Ndryshe, deklaratat e Abbasit erdhën pas muajsh tensione dhe një konflikti të shkurtër gjatë këtij muaji, në të cilin u vranë 49 persona në Gaza pasi Izraeli kreu një sërë sulmesh në përgjigje të asaj që tha se ishte kërcënim i drejtpërdrejt nga grupi Xhihadi Islamik.
Dhjetëra palestinezë po ashtu janë vrarë gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë së Izraelit në Bregun e okupuar Perëndimor, përderisa janë regjistruar edhe një numër i sulmeve ndaj izraelitëve, përfshirë atë të së dielës ku tetë persona u plagosën pas u sulmua një autobus që po bartte besimtarët hebrenj për në Jerusalem.
Palestinezët kërkojnë të krijojnë shtet në territoret e marra nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Negociatat për një zgjidhje të mosmarrëveshjeve kanë ngecur që nga viti 2014. /REL
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...