Gjermania iu bashkua Francës të martën në kritikat kundër Shteteve të Bashkuara, të cilat i akuzuan për bisedime sekrete për nënshkrimin e paktit të sigurisë me Australinë e Britaninë, duke ia humbur Parisit marrëveshjen miliardëshe për nëndetëse.
Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth, në kohën e takimit me homologët e tij në Bruksel para gazetarëve deklaroi: “Ne nuk mund të varemi ekskluzivisht nga të tjerët, por duhet të bashkëpunojmë dhe duhet t’i tejkalojmë dallimet e të flasim me një zë.”
“Të gjithë duhet të ulemi në një tavolinë, besimi i humbur duhet të rindërtohet dhe kjo qartazi nuk do të jetë e lehtë, por ne duam të japim një kontribut konstruktiv”, shtoi ai, shkruan Reuters.
Përplasja e Bashkimit Evropian me Shtetet e Bashkuara ka të bëjë me marrëveshjen që Australia ka bërë me ShBA-në e Britaninë për prodhimin e nëndetëseve me energji bërthamore. Australia kishte marrëveshje për këtë qëllim me Francën, por hoqi dorë prej saj pas disa ankesave. Kjo e ka zemëruar Parisin.
Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se ai dëshiron të dijë se pse vendi i tij është lënë tërësisht në errësirë. Raportohet se për paktin e ri nuk është konsultuar as kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, pavarësisht lidhjeve të ngushta historike, kulturore e ekonomike mes Evropës, Australisë e ShBA-së.
Mosmarrëveshja i ka vënë në pikëpyetje edhe bisedimet për tregti të lirë mes Bashkimit Evropian e Australisë. Rundi i ardhshëm është planifikuar për muajin tetor, por nuk dihet nëse bisedimet do të vazhdojnë.
Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë, ja çfarë su...
Notat e lojtarëve: Real Madrid 1-3 Milan, Maignan heroi i ...
Dita e Zgjedhjeve përgjithësisht e qetë, me probleme dhe von...
Çështjet që shqetësojnë votuesit janë demokracia dhe ekonomi...
Kevini mundohet ta puthë Anën, kjo e fundit befason me vepri...
Disa fakte për zgjedhjet në SHBA