Google ADS

Gjermani, valë neo-naziste në rradhët e ushtrisë dhe policisë

01:43 | 25 Shtator 2020
Trina Galanxhi

Teksa në Gjermani po përhapet gjithnjë e më shumë vala e lëvizjes neo naziste në mesin e policisë dhe forcave të armatosura, Ministrja e Mbrojtjes ka vendosur për një masë drastike – largimin e shefit të shërbimeve sekrete.

Annegret Kramp-Karrenbauer, eksponente kryesore e CDU dhe kandidate për të pasuar në pushtet, deri në muajin shkurt, kancelaren Angela Merkel dekretoi lëvizjen e papritur duke larguar nga posti shefin e inteligjencës Christof Gram.Karrenbauer pranoi angazhimin e saj për të filluar reformat dhe për të përmirësuar punën e Shërbimeve, por deklaroi se faza tjetër e riorganizimit kërkon ndryshim “i cili duhet të jetë i dukshëm për sa i përket njerëzve”.

Në fakt, qeveria federale është gjithnjë e më shumë e shqetësuar për përhapjen e ideve ultra të djathta midis ushtrisë dhe policisë. Situata është kaq serioze saqë në muajin korrik u shpërbë një kompani e forcave special.

KSK-ja legjendare e krijuar pas sulmit palestinez në Lojërat Olimpike të Mynihut, janë bërë modeli për të gjithë simotrat e Evropës, por “Një kulturë ekstremizmi është lejuar të përhapet pas një muri sekreti,” deklaroi Annegret Kramp-Karrenbauer.

Komandot e akuzuara nuk ishin kufizuar vetëm në parrullat e Rajh-ut dhe përshëndetjes hitleriane. Nga kazermat e tyre ishin zhdukur pa lënë gjurmë disa qindra kilogram eksploziv dhe rreth 50 mijë plumba. Atë kohë asnjë prej komandove nuk bashkëpunoi me autoritetet. Paskësaj u urdhërua ristrukturimi i të gjithë korpusit special, elitës luftarake të Gjermanisë moderne, e angazhuar brenda dhe jashtë vendit në luftën kundër terrorizmit.

Episodet e infiltrimit neo-nazist janë raportuar që nga viti 2017, shpesh të lidhura me ksenofobinë kundër imigrantëve. Një ushtar u arrestua pasi po planifikonte sulme që do t’i atribuoheshin më pas akronimeve islamike. Që nga ajo kohë, 600 anëtarë të forcave të armatosura janë vënë nën hetim për lidhje me grupe radikale të krahut të djathtë. Një fenomen ky kaq i përhapur sa e shtyu qeverinë të miratojë një ligj për të thjeshtuar shkarkimin e ushtarëve të dyshuar për ekstremizëm.

Detyra e pastrimit të institucioneve iu besua shërbimeve sekrete. Christof Gram u zgjodh nga Angela Merkel në vitin 2015. Gram ishte një ekspert i ligjit, i cili atë kohë frymëzoi besim sepse ishte jashtë radhëve të ushtrisë dhe policisë. Tani Annegret Kramp-Karrenbauer dëshiron që dikush të kryejë operacionin e pastrimit me më shumë vendosmëri se Christof Gram, pasi tani, siç dhe u shpreh Ministrja e Mbrojtjes, “Duhet fshësë e hekurt”./lexo/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme