Gjermani tetëvjeçar ua vjedh veturën prindërve dhe vozit 140 km/h në autostradë

15:01 | 21 Gusht 2019
Arbresh Info

Një djalë tetëvjeçar nga Gjermania ua ka marrë tinëz veturën prindërve të vet dhe e ka vozitur atë me shpejtësi prej 140 kilometrash në orë në autostradë.

Ai u kap nga policia kur ishte ndalur anash rrugës në orët e para të së mërkurës në autostradën A44. Kjo rrugë të dërgon drejt qytetit të Dortmundit.

Djaloshi ia kishte ndezur veturës dritat e katër treguesve të drejtimit dhe e kishte vendosur trekëndëshin paralajmërues prapa veturës.

Posa iu afrua policia, djali tha: “Vetëm pata dëshirë ta vozis pak veturën”.

Nëna e tij e kishte lajmëruar policinë rreth orës 12 e 25 minuta pas mesnatës se djali i saj e ka marrë veturën dhe është larguar pa lejen e saj në qytetin perëndimor të Soest-it.

Rreth 40 minuta më vonë, ajo e lajmëroi policinë se e ka gjetur djalin në autostradën A44. Djali tha se u ndal të pushonte sepse shpejtësia e madhe e vozitjes kishte bërë që të mos ndihet mirë.

Policia thanë se ai shpërtheu në lotë posa i pa zyrtarët e sigurisë. Ata konfirmuan se gjatë vozitjes së djaloshit nuk është shkaktuar ndonjë lëndim i njerëzve apo dëmtim i pronës, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme