Lufta kundër virusit të ri Korona, që ka shpërthyer në Kinë, aktualisht tërheq vëmendjen në të gjithë botën. Edhe në Gjermani, njerëzit janë infektuar me virusin mjaft të panjohur. Rastet e para ndodhën në një kompani në Bavari, ku një punonjëse e infektuar nga Wuhani kishte bërë trajnime.
Javën e kaluar, më shumë se njëqind shtetas gjermanë u kthyen në Gjermani nga Kina. Ata i futën në karantenë, në një kazermë. Edhe tek ata u konstatuan raste të veçanta të infektimit me virusin e Koronës. Edhe pse sëmundja te shumë pacientë është e butë dhe kalon shpejt, shfaqja e virusit ende mjaft të panjohur ka shkaktuar frikë në të gjithë botën.
Gjermanët u besojnë autoriteteve
Në Gjermani, megjithatë, frika është e kufizuar. Tetë nga dhjetë gjermanë besojnë se situata deri tani është nën kontroll. Kjo del nga një sondazh i ARD-së, të cilën e ka realizuar qendra e sondazheve infratest-dimap.
Sa duhet të kushtojnë ushqimet?
Një temë tjetër, për të cilën i kanë pyetur studiuesit e opinionit shtetasit në sondazhin e fundit janë çmimet e ushqimeve në Gjermani. Sipas statistikave gjermanët nuk shpenzojnë as dhjetë përqind të të ardhurave të tyre për ushqim. Kjo është shumë pak, po ta krahasosh me shtetet e tjera evropiane. Çmimin e paguajnë mjedisi dhe fermerët. Jo vetëm me blegtorinë, por edhe në ara mund të fitosh gjithnjë e më pak para.
Fermerëve gjermanë iu desh të pranonin një rënie të të ardhurave prej 18 përqind në vitin e fundit të llogaritjes. Politikanët nuk duan më të rrijnë duarkryq. Në fillim të javës, kancelarja Angela Merkel foli me përfaqësuesit e tregtisë me pakicë dhe të industrisë ushqimore, për praktikat e tregtisë së drejtë dhe për mundësitë e rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Vetëm një në dy vetë i gatshëm të paguajë më shumë
Por a do t’u pëlqente kjo gjermanëve? Vërtet që niveli aktual i çmimeve për ushqimet nga këndvështrimi i pothuajse gjysmës së të gjithë qytetarëve gjermanë (54 përqind), është mjaft i ulët. Sidoqoftë, 43 përqind nuk pajtohen: ata mendojnë se çmimet ekzistuese të ushqimeve janë të përshtatshme (36 përqind) ose shumë të larta (shtatë përqind).
E rëndësishme për vlerësimin e çmimeve të ushqimeve është situata përkatëse e të ardhurave. Në familjet me të ardhura neto më pak se 1.500 euro, 64 përqind mendojnë se çmimet aktuale të ushqimeve nuk janë aspak të ulta.
Qiratë po bëhen gjithnjë e më të larta
Një çështje që i preokupon njerëzit në Gjermani pothuajse në të gjitha nivelet e të ardhurave është mungesa në rritje e banesave. Gjithnjë e më shumë qytetarë po zhvendosen nga fshati në qytet dhe me kërkesën për strehim po rriten edhe qiratë. Po të mos kesh të ardhura mbi mesataren dhe të jesh në gjendje të shpenzosh një pjesë të madhe të të ardhurave për qiranë, vështirë se do të gjesh banesë me çmim të përballueshëm.
Vetëm një në shtatë gjermanë (14 përqind) janë të kënaqur me përpjekjet e bëra nga politikanët në Gjermani për të krijuar strehime me çmime të përballueshme. 80 përqind kritikojnë.
Në dekadat e fundit, shteti është tërhequr gjithnjë e më shumë nga banesat sociale. Kjo në një kohë kur ndërtuesit privatë mbështeten financiarisht, por si rezultat ata duhet të angazhohen për mbajtjen të ulët të qirasë për një periudhë të caktuar kohe dhe për dhënien me qira të banesës qytetarëve me të ardhura të ulëta.
Ndërkohë, nuk ka pothuajse apartamente me çmime fikse të qirasë. Shumica e banesave të mëparshme sociale jepen me qira me çmime të zakonshme.
Në situatën e tensionuar, shumica e qytetarëve janë në favor të ndërhyrjeve më të forta rregulluese në tregun e banesave, si p.sh, duke vendosur tavane për qiranë, si në Berlin.
Më pak mbështetje për koalicionin në Berlin
Qeveria federale e përbërë nga partitë unioniste dhe SPD edhe në vitin e dytë të periudhës aktuale legjislative e ka të vështirë të mbledhë pikë te qytetarët e saj. Më pak se një e treta janë aktualisht të kënaqur me punën e koalicionit qeveritar, dy të tretat kanë qëndrim kritik. Kjo do të thotë që niveli i mbështetjes për punën e qeverisë është ulur pak që nga fillimi i janarit. Në radhët e partive unioniste (46:53 përqind) dhe te SPD (52:48 përqind) miratimi dhe refuzimi janë të balancuara. Kritika ndaj punës së qeverisë së Berlinit mbizotëron në mesin e mbështetësve të opozitës së Bundestag, më qartë në mesin e mbështetësve të AfD.
Përsa i përket mbështetjes për partitë, ashtu si në muajin e kaluar, CDU dhe CSU aktualisht arrijnë në gjithsej 27 përqind. SPD arrin 14 përqind, Të Gjelbrit 22 përqind. 14 përqind e votuesve vazhdojnë të mbështesin AfD. Ndërsa partia E Majta përmirësohet dhe arrin nëntë përqind, FDP humbet një pikë përqindje dhe arrin në tetë përqind.
Sidoqoftë, demoskopët kujtojnë si gjithmonë se sondazhet me pyetjen e së dielës tregojnë tendencat aktuale të votimit në lidhje me zgjedhjet e Bundestag-ut dhe jo sjelljen aktuale të votimit. Shumë votues e përcaktojnë pozicionin e tyre pak para zgjedhjeve. Një rëndësi të madhe ka fushata zgjedhore, kur u drejtohesh konkretisht votuesve të pavendosur dhe taktikë./DW
Lufta në Ukrainë/ Shtatë të vrarë nga sulmet ruse në Sumi, m...
Zaragoza me replikë për Tuchelin: Futbolli luhet me këmbë jo...
Murati jep detaje për dixhitalizimin e fiskalizimit: Mund të...
Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, policia arreston bashkëmosha...
Lansohet dixhitalizimi i fiskalizimit, Murati: Projekt i rën...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 700 gjoba trafiku për 24 orë