Kancelari gjerman, Olaf Scholz do që Bundeswehri së shpejti të armatoset nga buxheti e jo nga fondi i posaçëm. Në kurriz të shpenzimeve sociale? Kjo është frika e socialdemokratëve dhe Të Gjelbërve.
Me një fjali të thënë si shkarazi, kancelari gjerman, Olaf Scholz e nxehu atmosferën në Berlinin politik. Në një intervistë, Scholz tha për gazetën “Süddeutsche Zeitung”, fundjavën e shkuar se “qëllimi është që pas përfundimit të fondit të posaçëm për Bundeswehrin shpenzimet t’i financojmë nga buxheti i përgjithshëm”. Fondi i posaçëm nënkupton 100 miliardë eurot, që qeveria gjermane vendosi para dy vitesh t’ia verë në dispozicion ushtrisë gjermane pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës – financimin e fondit Gjermania e bën nga borxhet.
Dyfishim i buxhetit të mbrojtjes?
Sipas planifikimeve të deritanishme ky fond do të shterojë deri në vitin 2027. Deri në këtë vit janë dhënë porositë për prodhim të municionit dhe sistemeve të shtrenjta të armëve. Ekspertët janë të mendimit, se pas kësaj do të ishin të nevojshme 108 miliardë euro, që do të thotë dy herë më shumë se sa është parashikuar në buxhet për mbrojtjen, 52 miliardë euro më shumë.
Dhe këto shpenzime thjesht do të “kursehen diku tjetër”, siç vëren kancelari Scholz në intervistë? Kjo mund të bëhej vetëm në sektorin më të madh buxhetor -atë për shpenzime sociale. Këtë vit shteti gjerman shpenzon për “paratë për qytetarin” që nënkupton mbështetjen për të papunët, për grupe ekonomikisht të dobta në shoqëri dhe pensionistët rreth 176 miliardë euro nga më shumë se një e treta e buxhetit të përgjithshëm.
Pa siguri nuk ka as buxhet social
Roderich Kiesewetter, ekspert për mbrojtjen i CDU thotë, se ushtria gjermane ka nevojë për shumë fonde që të kthehet në një ushtri moderne që di të mbrojë në rast të një sulmi të mundshëm. Ish-ushtari dhe tani deputet në Bundestag është i një mendimi me të ngarkuarën e Bundestagut për Mbrojtjen, Eva Högl, e cila e vlerëson nevojën e ushtrisë gjermane në 300 miliardë euro. Kiesewetter në bisedë me DW kujton krizat e shumta që kanë mbërritur në Gjermani brenda një kohe të shkurtër. Luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. “Në këtë situatë është detyrimisht e nevojshme që popullsisë t’i thuhen disa të vërteta dhe t’i bëhet e qartë, se ne duhet të vendosim prioritete dhe duhet të ndryshojmë diçka, nëse duam të vazhdojmë të jetojmë në liri dhe demokraci.” Pa sigurinë e nevojshme ekonomia nuk do të rezistojë, nëse bie Ukraina dhe miliona njerëz dëbohen atëherë në buxhetin social do të bëheshin të nevojshme kufizime tërësisht të tjera.
A është kuptuar gabimisht kancelari?
Konkluzioni i deputetit të CDU-së, Roderich Kiewetter është: “Vënien kundër të njëra-tjetrës të shpenzimeve të mbrojtjes me buxhetin social e shoh si një debat të pavend para gjendjes kërcënuese të sigurisë, në të cilën ndodhet edhe Gjermania.”
Debati pas fjalisë së kancelarit në intervistë është i madh. Tanke dhe armë në vend të pensionit dhe ndihmës sociale? Pak a shumë kështu kanë qenë titujt në media këto ditë në Gjermani. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialdemokrate, SPD, Kevin Kühnert, Scholz është keqkuptuar në intervistë. Për televizionin gjerman, ARD Kühnert tha, se siguria sociale dhe ajo territoriale e Gjermanisë, e BE dhe NATO-s janë dy anë të pandara të së njëjtës medalje”.
Duhet të shfuqizojë Gjermania frenën e boxrheve?
Më konkretish flet socialdemokrati tjetër gjerman, Ralf Stegner. Për revistën “Spiegel”, Stegner tha, se siguria e brendshme dhe ajo e jashtme “asnjëherë nuk duhet të vihen përballë unitetit shoqëror”. Sipas tij ose “nevojitet një fond i posaçëm për modernizimin e vendit tonë ose të paktën është e nevojshme një reformë e frenës së borxheve”. Stegner paralajmëron, se nëse rriten shpenzimet ushtarake dhe në të njëjtën kohë reduktohen shpenzimet sociale për të respektuar frenën e borxheve, kjo do të forconte populistët e djathtë.
Të Gjelbrit kërkojnë fond të posaçëm
Gjermania e ka me ligj ruajtjen e frenës së borxheve, që do të thotë, se ligji e detyron qeverinë të marrë kredi të reja vetëm në masë të kufizuar. Për modernizimin e ushtrisë gjermane u krijua një fond i posaçëm i kontestuar prej 100 miliardë eurosh. Këto janë borxhe të reja, që merren jashtë buxhetit aktual. Por qeveria nuk mund të krijojë pa fund fonde të posaçme, kështu mund të kuptohet fjalia e Scholz për “Süddeutsche Zeitung”.
Megjithatë bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër, Ricarda Lang e shikon këtë rrugë si të mundshme. Së fundmi ajo tha se, “kjo do të ishte një mundësi që të mund të shpenzojmë aq sa duhet për mbrojtjen.” Lang shtoi, se “financimi nuk mund të dalë vetëm prej buxhetit aktual. Ne duhet të kujdesemi, që gjendja e sigurisë të mos i kundërvihet sigurisë shoqërore.”
Liberalët e FDP kërkojnë zhvendosje brenda buxhetit
Më pak probleme me shkurtimin e shpenzimeve sociale ka Partia Liberale, FDP, partnerja më e vogël e koalicionit qeverisës. Politikani për mbrojtjen i kësaj partie, Alexander Müller tha, se “kemi nevojë për më shumë mjete që të financojmë në mënyrë të vazhdueshme shpenzimet për personelin, materialet dhe municionin. Këtë nuk e bën dot me borxhe ekstra, por duhet të ndryshosh prioritetet në buxhet.”
Debati sapo ka filluar dhe që tani vërtitet brenda një rrethi: Ligji për frenën e borxheve ndalin marrjen e borxheve të reja në buxhet, për të ndryshuar atë, qeverisë i duhen dy të tretat në Bundetag, pra edhe votat e opozitës së CDU dhe CSU. Opozita refuzon. Pra sërish një fond i ri i posaçëm? Kjo duket më e mundur aktualisht. Sepse askush nuk e mohon që ushtria duhet modernizuar me urgjencë./DW/
Pacolli uron festat e fundvitit: Gëzim dhe harmoni për të gj...
Murati: Do të përkrahim punëtorët e sektorit privat
Helikopteri godet ndërtesën e spitalit në Turqi, konfirmohen...
“Nuk ia ndjen hiç për mua”, Gjesti i acaruar me Xhenetën, te...
Krasniqi: Jemi angazhuar për një klimë më të mirë për të bër...
Shqipëria do ta mbyll për një vit, reagon TikTok – kërkon sq...