Gjermani: Hiqet detyrimi i mbajtjes së maskës në transportin urban

10:00 | 3 Shkurt 2023
Vjollca Gajraku

Pas tre vitesh detyrim për të mbajtur maska ​​në transportin urban në Gjermani, nga 2 shkurti ato nuk janë më të detyrueshme. Maskat duhet të mbahen në institucionet shëndetësore.

Në autobusë dhe trena në Gjermani nuk është më e detyrueshme mbajtja e maskës kundër virusit Corona. Pas gati tre vitesh të pandemisë Corona, nga 02 shkurti 2023 nuk është më e detyrueshme mbajtja e maskës as në trenat që qarkullojnë në distanca të gjata.

Kompanitë e transportit bënë të ditur heqjen e këtij detyrimi në transportin urban. “Detyrimi për të mbajtur maska, ka qenë prej kohësh i panevojshëm nëse merret parasysh situata me pandeminë”, tha një zëdhënës i Shoqatës së Kompanive Gjermane të Transportit (VDV). “Ishte gjithnjë e më e vështirë të zbatohet një detyrim i tillë dhe t’u shpjegohet pasagjerëve pse një maskë nuk duhej të mbahej në një aeroplan plot me udhëtarë ose në një sallë koncertesh, por mbahej në autobus dhe tren gjatë rrugës për në aeroport ose në vendin e koncertit.”

Edhe kompania Hekurudhat Gjermane u deklarua disa javë më parë në favor të heqjes së detyrimit për mbajtjen e maskave në trenat që qarkullojnë në distanca të gjata. “Kështu ne shmangim një situatë me rregulla të ndryshme në Gjermani, që kanë qenë në fuqi për kompani të ndryshme të transportit,” shkroi kreu i departamentit të transportit në distanca të gjata, Michael Peterson, në mes të janarit.

Në fund, qeveria federale vendosi që detyrimi i mbajtjes së maskave në qarkullimin në distanca të gjata të përfundojë më 2 shkurt. Fillimisht, detyrimi për të mbajtur maska ​​në trenat dhe autobusët e distancave të gjata ishte menduar të ishte në fuqi deri në fillim të prillit. Ministri federal i Shëndetësisë Karl Lauterbach (SPD) rekomandon që të vazhdohet mbajtja e maskave vullnetarisht.

Sa i përket trafikut rajonal, ai është nën juridiksionin e landeve. Por edhe ato kanë vendosur që nga 2 shkurti 2023 të përfundojë detyrimi i mbajtjes së maskave. Mbajtja e maskave mbetet e detyrueshme edhe më tej në spitale dhe institucionet e kujdesit shëndetësor, si dhe në mjediset e përkujdesit për të moshuarit./ DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme