Ishte padia e një djali nga Kosova në Gjykatën Kushtetuese gjermane në Karlsruhe që e solli këtë vendim: Sipas Gjykatës Kushtetuese delikte të drogës në të shkuarën nuk mjaftojnë si arsye dëbimi.
I riu nga Kosova bën pjesë tek ata persona që në Gjermani quhen nga ana juridike “faktikisht vendas”, thuajse vendas. Fjala është për persona të huaj që nuk e zotërojnë nënshtetësinë gjermane, por ose kanë lindur në Republikën Federale të Gjermanisë ose kanë ardhur si fëmijë të vegjël dhe prej vitesh kanë hedhur rrënjë në këtë vend. Krahas të drejtës për respektimin e jetës familjare dhe private, sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në grindjen për dëbimin ata mund t’i referohen sipas juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese gjermane edhe të drejtës kushtetuese për zhvillimin e lirë të personalitetit, argumentuan gjykatësit gjermanë.
I ri nga Kosova i ardhur si fëmijë në Gjermani
Paditësi nga Kosova kishte ardhur mjaft i vogël në Gjermani, kishte shkuar në kopsht gjerman, më pas kishte arritur të merrte dëftesën e arsimit të mesëm. Ai ishte kualifikuar si punëtor i logjistikës në Gjermani. Nga viti 2018 duhej të dilte disa herë para gjyqit për shkak të disa veprave penale të lidhura me drogën dhe pjesërisht sulmeve me lëndime të rënda trupore.
Në fillim të vitit 2022 ai u dëbua nga Gjermania në Kosovë. Zyra e të huajve vendimin e marrë për dëbimin e kishte argumentuar me rrezikun e lartë të përsëritjes së veprave penale.
Me padinë e ngritur, kosovari i ri arriti ta bëjë të vlefshme para gjykatës të qenurit “faktikisht vendas” dhe se vepra penale i ka kryer në moshën e adoleshencës. Ndërkohë ai i paraqiti gjykatës edhe përfundimin e një terapie kundër drogës dhe se ka respektuar masat e riintegrimit në shoqëri.
Kritika të kushtetuesve gjermanë për vendimet e para të gjykatave
Dy gjykata më parë e kishin refuzuar padinë e djalit nga Kosova, Gjykata Administrative dhe Gjykata Bavareze e Administratës, VGH në Mynih. Por Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe me vendimin e së enjtes (23.05.) i shfuqizoi vendimet e të dyja gjykatave. Gjykatësit gjermanë të kushtetueses në argumentimin e tyre, thanë se VGH nuk kishte verifikuar me seriozitet, nëse paditësi për shkak të rrënjëve të hedhura në Gjermani mund të merrej në konsideratë si “faktikisht vendas”. Në konsiderimin e interesave dhe verifikimin e proporcionalitetit të masave duhet marrë parasysh edhe e drejta bazë e zhvillimit të lirë të personalitetit.
Vërtet që në veprat penale të lidhura me drogën ekziston rreziku I përsëritjes, theksuan gjykatësit. Por tek personat “faktikisht vendas”, zyrat e te huajve dhe gjykatat duhet të verifikojnë më me vëmendje dhe ta arsyetojnë këtë. “Për këtë arsye kërkohet një prognozë individuale e rrezikut e lidhur me rastin konkret nën marrjen në konsideratë të fakteve aktuale”, që në vendimin e Gjykatës Bavareze të Administratës nuk është bërë si duhet, argumentoi Gjykata Kushtetuese Gjermane./dw/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...