Të majtë e të djathtë protestojnë kundër çmimeve në rritje të gazit, rrymës dhe ushqimeve. Demonstratat e së hënës më 2022 të kujtojnë revolucionin paqësor të Gjermanisë lindore, Pegidën dhe protestat e COVID-19.
Çdo gjë është shtrenjtuar në botë që kur filloi lufta në Ukrainë në shkurt 2022. Në Bashkimin Evropian (BE), inflacioni, pra niveli i shtrenjtimit, është duke arritur 10 përqindëshin. Vendet me nivelin më të lartë të inflacionit brenda 27 vendeve të BE janë tre vendet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania me 20 për qind. Kështu që me nivelin 7.9 për qind të inflacionit, Gjermania nuk duket edhe aq keq.
Por shumë njerëz nuk janë më në gjendje të blejnë, me plot kuptimin e fjalës. Ata e ndiejnë rritjen e madhe të çmimeve kur shohin çmimin për një litër karburant në pikat e karburantit, kur blejnë në supermarket dhe sidomos kur paguajnë për gazin, naftën dhe rrymën. Qeveria federale gjermane ka reaguar duke aprovuar një paketë tjetër lehtësimi prej 65 miliardë eurosh.
Por shumë vetë mendojnë se kjo nuk mjafton, të parët janë partitë e majta dhe të djathta në Gjermani. Prandaj, që para se politika të merrte vendimet e fundit, ata bënë të ditur se vjeshta do të jetë “e nxehtë” – me demonstratat të vazhdueshme të organizuara të hënave, duke filluar me 5 shtatorin. Për këtë bëri fillimisht thirrje partia E Majta, grupi më i vogël i Bundestagut. Si vend për demonstratat, partia vendosi të jetë Lajpcigu. Manifestimi i iniciuar nga parlamentari i majtë Sören Pellmann organizohet me moton “Ulni çmimet – energjia dhe ushqimi duhet të jenë të pagueshme”.
Zgjedhja u bë për qytetin lindor, të njohur ndërkombëtarisht për panairet dhe universitetin, ku në vitin 1989 njerëzit vendosën të kontribuonin për rrëzimin e diktaturës së Gjermanisë Lindore (RDGJ) me demonstratat e tyre të ditës së hënë. Me thirrjet “Ne jemi populli” qindra mijëra vetë protestuan në atë kohë kundër regjimit komunist të Partisë së Unitetit socialist të Gjermanisë (SED).
Që e Majta ka planifikuar të mobilizojë njerëzit duke organizuar rregullisht demonstratat pikërisht ditët e hëna, është për shumë vetë harrim historie. Të Gjelbrit kritikuan deputetin lajpcigas dhe të ngarkuarin me çështjet e Gjermanisë Lindore në grupin e tij parlamentar, Pellmannin, sepse përdori konceptin “demot e së hënës”. Kjo fjalë ka domethënie simbolike për kohën e revolucionit paqësor të Gjermanisë Lindore, kundër SED dhe partisë që e pasoi, Të Majtët. Pikë tjetër kritike është se Pellmanni, i cili ka fituar një mandat direkt në Lajpcig për partinë Të Majtët, dhe partia e tij nuk i kushtojnë rëndësi faktit që “demonstratat e së hënës mund të përdoren edhe nga të djathtët për t’i bërë ata të jenë prezent në mes të qytetit”.
Një aludim që ka të bëjë me faktin se krah Të Majtës edhe disa parti të djathta kanë bërë thirrje për të organizuar demonstrata, kështu për shembull një parti ekstremiste e djathtë me emrin Saksonia e Lirë, si dhe partia e përfaqësuar në Parlamentin gjerman, që ndodhet nën vëzhgimin e Entit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Kryesia në nivel federal e partisë E Majta nuk i pranon akuzat.
“Jemi të vetëdijshëm për rrezikun që vjen nga të djathtët”, thotë Janine Wissler, e cila ndan kryesimin e partisë me Martin Schirdewanin.
Edhe ai i justifikon demostratat e të hënave në Lajpcig dhe pret që protestat të jenë “paqësore dhe të forta”, për të korrigjuar kursin e politikës. Me moton “Të lehtësohen njerëzit. T’i vihet kufi rritjes së çmimeve. Të taksohen superfitimet”, Schirdewan kërkon të bëjë presion ndaj qeverisë federale.
Dhe Janine Wissler thekson se, pikërisht protestat kundër pasojave ekonomike dhe sociale të luftës së Ukrainës nuk i duhen lënë së djathtës. Në fund të fundit, E Majta është parti e drejtësisë sociale.
Më 2004 shkas për demonstratat u bë “Agjenda 2010”
Sa i madh është rreziku që të djathtët të shfrytëzojnë demonstratat për të përhapur idetë e tyre, u pa tashmë.
Saksonia e Lirë përkrah demonstratat e protestës së të hënës të Sören Pellmannit dhe të majtëve me moton “Të gjithë së bashku kundër atyre që na drejtojnë”.
Nën këtë moto, partia shumë e vogël njoftoi organizimin e manifestimit të saj në të njëjtin vend ku do të organizojë manifestimin E Majta, në afërsi të stacionit kryesor të trenit në Lajpcig, duke zgjuar kështu përshtypjen se ndodhet në të njëjtën linjë me kundërshtarët politikë. Të majtët u mbrojtën nga kjo gjë, juridikisht, dhe patën sukses.
Protesta me etiketimin “Demonstrata të së hënës” ka pasur herë pas here edhe në fund të diktaturës së Gjermanisë Lindore. Ato organizoheshin herë nga e majta, herë nga e djathta. Në vitin 2004, partia që u krijua pas shpërbërjes së Partisë së Unitetit Socialist (SED), Partia e Socializmit Demokratik (PDS) që quhet sot, E Majta, mobilizoi njerëzit në demonstrata kundër reformimit të shtetit social nga qeveria e atëhershme e krijuar nga socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, reformim që u quajt “Agjenda 2010”. Thelbi i reformave kishte të bënte me ndihmë më të vogël sociale nga shteti për të papunët dhe për përfituesit e ndihmës sociale.
Pegida përdor thirrjen për betejë – “Ne jemi populli”
Pas vitit 2014, ditën e hënë u organizuan demonstrata fillimisht në Lajpcig, pastaj në gjithë Gjermaninë nga ksenofobët e “evropianëve patriotë kundër islamizimit të Perëndimit” (Pegida) që drejtoheshin kundër migracionit në rritje. Kur kancelarja kristiandemokrate Angela Merkel, hapi më 2015 kufijtë për një milionë refugjatë që vinin nga vende lufte si Siria, Afganistani dhe Iraku, kjo lëvizje arriti kulmin e saj.
Vetëm në kryeqytetin sakson, Drezden dolën në rrugë deri 25 mijë vetë duke kërkuar që me sloganet si “Ne jemi populli” të krijonin lidhje retorike me traditën e revolucionit paqësor të Gjermanisë Lindore. Protesta të Pegidës ka pasur edhe gjatë 2022, por rezonanca ka qenë e ulët, pjesëmarrja nuk i ka kaluar 200 vetët.
Protestat e COVID-19 kthehen në “dalje shëtitje”
Ndërkohë që një lëvizje masive u krijua përkohësisht gjatë pandemisë COVID-19. Protestat e quajtura edhe “dalje shëtitje” kundër politikës së qeverisë gjermane për luftimin e pandemisë u organizuan gjithnjë të hënave.
Por, me uljen e numrit të infektimeve dhe heqjen e kufizimeve si përdorimi i maskave në dyqane, kinema apo salla koncertesh, humbi edhe ky modifikim i demonstratave të të hënës.
Tani pritet që të hënave të protestohet kundër kostove në rritje në të gjithë sektorët e jetës. Politika dhe autoritetet e sigurisë ndodhen para një “vjeshte të nxehtë”. Një vjeshte të nxehtë me protesta të vazhdueshme kundër pasojave të inflacionit dhe politikës së qeverisë federale.
Pra, demonstratat e së hënës janë shfaqur sërish. Dhe grindja për shpërdorimin faktik ose të pretenduar të origjinalit të vjeshtës 1989, do të vazhdojë. /Deutsche Welle/
Sot dita e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora
Përurohet sot renovimi në hemodializën të Spitalit në Prizre...
Parashikimi i motit për sot
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...