Google ADS

Gjermanët kanë filluar të dyshojnë mbi sanksionet ruse

23:36 | 29 Korrik 2022
Trina Galanxhi

Qëndrimi i ashpër i qeverisë gjermane ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë është nën presion në rritje nga publiku vendas, i cili është i shqetësuar për çmimet e larta të energjisë dhe mungesat e mundshme të gazit përpara dimrit.

Deri më tani, të gjitha partitë kryesore, nga socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz dhe partnerët e tij të koalicionit, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, te konservatorët e opozitës, kanë mbështetur sanksionet perëndimore kundër Rusisë pasi ajo sulmoi fqinjin e saj, transmeton portal arbresh.info

Megjithatë në javët e fundit, liderët konservatorë janë bërë skeptikë ndaj strategjisë së Perëndimit. Dhe ndërsa sondazhet tregojnë se pothuajse dy të tretat e gjermanëve ende mbështesin sanksionet, gjysma besojnë se ato prekin Gjermaninë më shumë se Rusinë.

Gjysma e popullsisë në Gjermani ngrohet me gaz, i cili gjithashtu përdoret nga një e treta e industrisë. Vitet e fundit, 50 për qind e gazit vinte nga Rusia.

Megjithatë, në javët e fundit, dërgesat nga Rusia janë ulur, gjoja për shkak të mirëmbajtjes së tubacionit. Nga ana tjetër, Gjermania pretendon se Moska po përdor gazin si armë dhe këtë javë BE miratoi një plan emergjent për të reduktuar konsumin. Në maj, Gjermania regjistroi deficitin e parë të tregtisë së jashtme që nga viti 1991 për shkak të inflacionit, i cili arriti në rreth 8 për qind.

“I gjithë sistemi ynë ekonomik mund të shembet. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, Gjermania mund të deindustrializohet,” tha Michael Kretschmer, udhëheqësi konservator i shtetit lindor të Saksonisë, për gazetën Die Zeit.

“Nëse ne nuk mund të heqim dorë nga gazi rus tani, ky është një realitet i ashpër dhe ne duhet të veprojmë në përputhje me rrethanat,” shtoi ai.

Dyshimet për politikën e qeverisë ndaj luftës në Ukrainë janë veçanërisht të theksuara në ish-lindjen komuniste të vendit, e cila është më e lidhur me Moskën dhe e cila mund të goditet më rëndë nga rënia ekonomike. Kretschmer, shteti federal i të cilit ka një popullsi prej katër milionë banorësh, bën thirrje që lufta të “ngrihet” dhe që Europa të kërkojë negociata paqeje.

Kjo do të mundësonte furnizimin e produkteve kryesore, nga lëndët djegëse fosile te drithërat dhe do të parandalonte kolapsin ekonomik të Gjermanisë dhe urinë në Afrikë, tha ai. Kritikët kundërshtojnë se kjo do të legjitimonte fitimet territoriale të Rusisë dhe do të lejonte Moskën të rigrupohej./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme