Gjeorgji: Protesta për pavarësinë e një stacioni televiziv të opozitës

19:22 | 19 Shkurt 2017
Arbresh.info

Mijëra gjeorgjianë manifestuan sot duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të marrë kontrollin e një stacioni televiziv të opozitës.

“Ne nuk do të lejojmë qeverinë të limitojë lirinë e medias në këtë vend”, deklaroi para manifestuesve Diana Jojoua, një prej përfaqësueseve të stacionit televiziv “Roustavi 2”, më popullori në Gjeorgji.

“Së bashku, ne do të mbrojmë “Roustavi 2″ dhe lirinë e fjalës në Gjeorgji”, theksoi ajo, transmeton AFP.

“Mijëra persona kanë parakaluar përgjatë aksit kryesor të qarkullimit të Tbilissit, rruga Roustaveli”, sipas një gazetari në vend.

“Roustavi 2”, që ka ndërprerë transmetimin që prej ditës së djeshme në shenjë proteste, akuzon qeverinë se po kërkon të marrë kontrollin nëpërmjet ish-pronarit, Kibar Khalvachi.

Në reagim, presidenti gjeorgjian, Guiorgui Margvelachvili theksoi se ngjarjet rreth stacionit televiziv kërcënonin sigurinë kushtetuese dhe krijonin kushtet për një përballje sociale, në një mesazh televiziv drejtuar kombit.

“Roustavi 2” ka qenë në qendër të një beteje juridike që prej muajit gusht, pasi një gjykatë gjeorgjiane ngriu të ardhurat e stacionit pas procedurave gjyqësore të nisura nga ish-pronari, një biznesmen i afërt me pushtetin, i cili ishte shprehur se e kishte shitur stacionin televiziv nën presionin e ish-qeverisë dhe se kërkonte të rimerrte kontrollin.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme