“Gjendje krize” shpallet fjala e vitit në Gjermani

14:40 | 8 Dhjetor 2023
K.B

Një juri e ekspertëve gjermanë e ka shpallur fjalën “Krisenmodus” (gjendje krize) si fjalën e vitit 2023, si referencë për luftën në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, për sfidat globale dhe rënien e standardeve të edukimit në këtë shtet.

“Antisemitizmi” është renditur në vendin e dytë, ka thënë Shoqata për Gjuhën Gjermane, të premten, duke e përmendur rritjen e përdorimit të kësaj fjale prej sulmeve të grupit palestinez Hamas, në tokën izraelite, më 7 tetor.

Hamasi, grup që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në vendin e tretë është renditur shprehja “pamundësi për të lexuar” duke iu referuar jo vetëm analfabetizmit, por edhe rritjes së vështirësive nga njerëzit që të kuptojnë tekste komplekse.

Sipas shoqatës që e ka përpiluar listën “renditja reflekton realitetin – dhe realiteti është goxha i zymtë”.

Sipas saj, shoqëria ka qenë në “gjendje krize” prej vitit 2020, duke e përmendur pandeminë e koronavirusit, luftën e Rusisë në Ukrainë, krizat gjermane në edukim dhe energji, dhe sulmet e Hamasit në Izrael, në tetor.

Militantët e Hamasit e kanë nxitur luftën me Izraelin, pas sulmit që kanë kryer në territorin e tij më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Për pasojë, Izraeli ka nisur ofensivë tokësore dhe ajrore në Gazën me 2.3 milionë banorë.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 15.800 njerëz kanë vdekur si pasojë e sulmeve izraelite.

Ushtria izraelite, në anën tjetër, i vë fajin Hamasit për vrasjet, duke e akuzuar se po operon në zonat e dendura me civilë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme