Google ADS

Gjendje e jashtëzakonshme në Islandë pas shpërthimit të vullkanit

16:24 | 23 Gusht 2024
A B

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Islandë pas shpërthimit të një vullkani në gadishullin Reykjanes.

Disa ditë para shpërthimit të vullkanit, Zyra Meteorologjike Islandeze regjistroi rritje të aktivitetit sizmik dhe tërmete në kodrën vullkanike Sundhnukar, shkruan Sky news.

Ekspertët deklarojnë se afër asaj kodre është shfaqur një çarje me gjatësi rreth 3.9 kilometra dhe se për 40 minuta është zgjeruar me 1.5 kilometra. Studimet e fundit kanë treguar se magma po grumbullohet nën tokë, duke nxitur paralajmërime për aktivitet të ri vullkanik në zonën në jug të Reykjavík.

Qyteti i afërt i Grindavik ka qenë praktikisht i shkretë që nga fundi i vitit të kaluar, kur rreth 4,000 banorë u detyruan të evakuohen për shkak të shpërthimit vullkanik.

Autoritetet kanë ndërtuar pengesa për të devijuar rrjedhat e lavës larg nga infrastruktura kritike, duke përfshirë termocentralin Svartsengi, banjën e hapur të Lagunës Blu dhe qytetin e Grindavik.

Banja e njohur gjeotermale Blue Laguna u mbyll, ndërsa zona Svartsengi u evakuua. Trafiku ajror aktualisht është i paprekur.

Vullkani në gadishullin Reykjanes shpërtheu mbrëmë për të gjashtën herë që nga dhjetori, duke nxjerrë lavë. Shpërthimi filloi pak pas orës 21:00, pas një sërë tërmetesh të forta./euronews/

Të ngjashme