Gara presidenciale në SHBA mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris – nëse kjo e fundit konfirmohet – do të jetë e ngushtë, thotë Thomas Gift, drejtor i Qendrës për politikat amerikane në Kolegjin Universitar të Londrës.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ai thotë se rezultati do të varet nga një përqindje e vogël votash në shtetet si: Ohajo, Pensilvania, Miçigeni, Uiskonsini, Xhorxhia dhe Arizona.
Presidenti aktual, Joe Biden, njoftoi më 21 korrik se tërhiqet nga gara e nëntorit, duke i dhënë mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris.
Nga tabori republikan, ish-presidenti Donald Trump pranoi nominimin javën e kaluar, ndërsa Konventa e Partisë Demokratike, ku do të konfirmohet kandidati/ja demokrat/e, do të mbahet në gusht.
Cili është reagimi juaj pas dorëheqjes së presidentit Biden nga gara për rizgjedhje?
Thomas Gift: Isha i befasuar që Biden u tërhoq, por, nëse i shohim gjërat në retrospektivë, mbase nuk do të duhej të isha. Biden ishte në një pozitë të keqe. Sa herë që një anëtar i Kongresit bënte thirrje që të tërhiqej, ai dëmtohej në sondazhe. Sa herë që kërkohej dorëheqja e tij, ai thoshte jo dhe kështu vazhdonte rrethi vicioz.
Kjo, thjesht, nuk do të ishte e qëndrueshme për një kohë të gjatë. Biden po bënte dy luftëra në të njëjtën kohë – një kundër Donald Trumpit dhe Partisë Republikane dhe një kundër Partisë së tij Demokratike. Do të ishte e tepërt që fushata zgjedhore të vazhdonte kështu.
Sa është domethënëse që ai nuk po largohet nga posti i presidentit?
Thomas Gift: Mendoj se është domethënëse, por, në të njëjtën kohë, nuk është për t’u habitur. [Dorëheqja nga posti i presidentit] do të ishte vërtet një hap shumë larg për Bidenin. Dhe, natyrisht, republikanët do të flasin vazhdimisht për këtë deri në zgjedhje.
J.D. Vance [kandidati republikan për nënpresident] ka pyetur nëse Biden mund të thotë se është i aftë për ta udhëhequr vendin edhe për katër ose pesë muajt e ardhshëm, nëse nuk është i aftë për të garuar në zgjedhje.
Kjo është një pyetje e arsyeshme për t’u bërë, por mendoj se do të zbehet, në krahasim me disa çështje të tjera që do të lindin.
A është rruga e Harrisit drejt nominimit tani e thjeshtë dhe e qartë?
Thomas Gift: Mendoj se po, marrë parasysh që Biden e mbështeti Harrisin. Ka pasur shumë pyetje nëse ai, thjesht, do ta linte këtë çështje të rridhte dhe ta merrte drejtimin në konventë [të Partisë Demokratike]. Por, ka pasur edhe shqetësime se do të dukej keq për demokratët.
Këto javët e fundit kanë qenë mjaft të këqija për demokratët. Gjëja e fundit që do t’u duhej, do të ishte një konventë vërtet e mavijosur. Kështu që mendoj se Biden ka vepruar mirë që ka mbështetur Harrisin. Disa nuk do të jenë të lumtur për këtë, por ai ka qenë i nominuari i supozuar dhe, sigurisht, është në prerogativën e tij të thotë se kush mendon se do të ishte pasardhësi i tij më i mirë.
Si e shihni garën presidenciale Trump-Harris, nëse do të jetë mes tyre?
Thomas Gift: Mendoj se do të jetë një garë e ngushtë. Do të ishte e ngushtë nëse Biden do të qëndronte në garë, mendoj se do të jetë e ngushtë nëse Harris do të jetë kundërshtare e Trumpit.
Nëse i shikoni vetëm sondazhet, kohëve të fundit, Kamala Harris ka dalë pak më mirë se Bideni në përballjen me Trumpin. Por, kjo mund të ketë ndodhur edhe për faktin se Biden i ka pasur disa javë ku gjithçka dukej se po shkonte keq.
Por, në fund, fituesi do të përcaktohet nga një përqindje e vogël votash, në një numër relativisht të vogël të shteteve, si: Ohajo, Pensilvani, Miçigen, Uiskonsin, Xhorxhia, Arizonë… Të dyja palët do të aktivizohen dhe do të shohim se si do të përfundojë.
A do të ishte gara Trump-Harris ndryshe nga ajo Trump-Biden?
Thomas Gift: Nuk e di nëse kjo e ndryshon rrënjësisht dinamikën e garës. Trump nuk ka qenë kurrë një nga ata që ka bërë përpjekje ta zgjerojë rrethin e tij të mbështetjes. Ai ka qenë gjithmonë i interesuar ta aktivizojë bazën e tij dhe të sigurohet që votuesit e tij kryesorë dalin në votime. Mendoj se do të përfshihet në shumë sulme të ashtuquajtura ‘ad hominem’.
Jemi, ndoshta, në një sezon shumë të keq të fushatës, por ky është një lloj realiteti i politikës amerikane tani. Ndoshta do ta shihnim të njëjtin edhe sikur Biden të mbetej në garë.
Cila mendoni se është trashëgimia e Bidenit nëse mund të flitet për të në këtë fazë?
Thomas Gift: Mendoj se Biden e çimenton trashëgiminë e tij me tërheqjen nga gara. Do ta vinte në rrezik nëse do të garonte për rizgjedhje.
Tani, ai mund ta kthejë kokën pas dhe të thotë se ka pasur sukses në mposhtjen e Donald Trumpit, se ka shtyrë përpara disa ligje të vështira, se ka udhëhequr SHBA-në gjatë pandemisë dhe më pas ia ka kaluar pishtarin brezit të ardhshëm.
Mendoj se trashëgimia e tij, ndoshta, do të ishte edhe më e mirë, nëse do të jepte dorëheqje disa muaj më parë, por nuk e ka bërë këtë dhe kështu janë gjërat… Tani duket sikur është dëbuar.
Por, në të njëjtën kohë, unë mendoj se ai mund të jetë krenar për atë që ka arritur. Ai ka pasur vërtet një karrierë të jashtëzakonshme në politikë, jo vetëm si president dhe nënpresident, por edhe në Senat. Ai ia ka kushtuar jetën vendit të tij.
Mendoj se duke e kaluar pishtarin, ai ka bërë gjënë e duhur, ka bërë gjithçka që Partia Demokratike dhe Amerika mund t’i kërkonin.
OKB thirrje urgjente për ndihma në spitalet në veri të Gazës
Të dhënat e fundit, kjo është situata nëpër pikat kufitare
Një drerë në shtëpi, Gjesti e Leo i hipin përmbi
Parashikimi i motit në Shqipëri
Man United i gatshëm të paguajë 180 milionë euro për tre loj...
Ganimete Musliu sot mban konferencë, s’tregon arsyen