Google ADS

Gazprom: Rusia vazhdon të furnizojë Europën normalisht me gaz

00:09 | 7 Mars 2022
Trina Galanxhi

RUSIA vazhdon të furnizojë Europën me gaz në sasi të rregullta përmes Ukrainës, ka raportuar gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom.

“Gazprom kryen tranzit të gazit rus përmes territorit ukrainas në sasi të rregullta sipas kërkesave të konsumatorëve europianë”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Gazprom , Sergei Kupriyanov nga agjencia ruse e lajmeve Interfax, transmeton portal arbresh.info

Në përputhje me këtë, 109.5 milionë metra kub gaz u lëshuan sot në transit.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, vendet e Europës Perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpëra ndaj Rusisë, duke rritur kështu frikën në Europë se Rusia mund të hakmerret duke ndërprerë furnzimin me gaz.

Sipas raportimeve, tubacionet e gazit duket se janë dëmtuar në gjashtë vende gjatë luftimeve në Ukrainë.

Si rezultat, mijëra njerëz mbetën pa gaz, raportoi agjencia ukrainase e lajmeve UNIAN në raportin e operatorit ukrainas të sistemit të gazit.

Gjashtëmbëdhjetë stacione të shpërndarjes së gazit në Ukrainë, duke përfshirë ato rreth Kharkiv, Kiev, Zaporizhia, Donetsk dhe Luhansk, nuk janë më funksionale, thuhet në raport.

Shqetësimet për një pezullim të mundshëm të furnizimeve me gaz po rriten në të gjithë Bashkimin Europian. Kjo ka bërë që Italia të forcojë marrëdhëniet me Katarin, i cili ka qenë furnizuesi më i madh i gazit deri më tani, të gjitha me synimin për të siguruar më shumë gaz në të ardhmen.

Kryeministri italian Mario Draghi do të takohet nesër në Bruksel me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Qeveria italiane ka njoftuar gjithashtu planet për të rritur prodhimin e gazit në brigjet e Siçilisë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme