Google ADS

Gazetarja në Kabul: Plane të rrënuara, ëndrra të shkatërruara

08:31 | 1 Shtator 2021
S D

Rahila Elena është një nga gratë e pakta gazetare në Kabul që vazhdon të punojë, edhe pse grupi taliban mori kontrollin e Afganistanit dhe urdhëroi gratë që punojnë, të qëndrojnë në shtëpi.

Elena, gazetare për një medium lokal, e cila përdor këtë pseudonim për shkak të sigurisë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se planet e saj për të ardhmen janë shkatërruar.

Radio Evropa e Lirë: Pse keni vendosur të ktheheni në punë me gjithë kërcënimet për sigurinë?

Rahila Elena: Vendi im i punës është mbyllur për dy-tri ditë, pasi të gjithë jemi larguar papritmas nga zyra, kur talibanët kanë hyrë në Kabul, më 15 gusht. Disa ditë më vonë, punëdhënësit na kanë dërguar tekst-mesazhe, duke na thënë se mund të kthehemi në punë. Unë kam qenë ndër punëtorët e parë që jam kthyer në zyrë.

Ka disa arsye përse jam kthyer. Para së gjithash, unë jam person në vete dhe asnjë qeveri apo pushtet nuk duhet të marrë vendime për mua apo jetën time. Nuk e di se çfarë pasojash do të ketë vendimi im, por, së paku, do të jem në gjendje të them se kam bërë atë që kam menduar se është e drejtë, pavarësisht nga të gjitha rreziqet.

Arsyeja e dytë është se Qeveria afgane ka investuar para në shkollimin dhe trajnimin tim. Mendoj se ia kam borxh shoqërisë të punoj.

Po ashtu, kam ndjerë se është përgjegjësi e imja si gazetare që të dal dhe të raportoj për atë që po ndodh. Është detyrë e një gazetari të nxjerrë në pah problemet në shoqëri, keqbërjet e Qeverisë dhe çështjet e njerëzve. Unë nuk mund t’i zgjidh problemet e njerëzve, por është punë e imja të bëhem zëri i tyre.

Për kthimin tim në punë kam pasur edhe arsye financiare. Unë jam fëmija më i madh në familje dhe ajo varet nga paga ime.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndryshimesh keni hasur në punë qëkur talibanët kanë marrë pushtetin në Kabul?

Rahila Elena: Kemi pasur liri të shprehjes. Unë kam mundur të zgjedh lirshëm temat e mia, të kritikoj lirshëm Qeverinë dhe të tjerët dhe nuk ka pasur censurë në raportet e mia. Tani është ndryshe.

Ka një vakuum në pushtetin afgan këto ditë dhe nuk është ende e qartë nëse do t’i kemi përsëri këto liri. Po përpiqemi të jemi të kujdesshëm në raportimin tonë, po bëjmë shumë autocensurë.

Për shembull, dy ditë më parë kam pasur një artikull për krijimin e Qeverisë së re dhe shqetësimet e njerëzve për këtë. Besoj se kam qenë jashtëzakonisht e kujdesshme dhe kam censuruar veten. Por, redaktori e ka redaktuar në masë të madhe artikullin tim, duke hequr shumë pjesë, që, sipas tij, do të na vinin në rrezik. Këto kanë qenë thjesht citate nga njerëz që ndanin shqetësimet e tyre. I kam thënë vetes: ky është realiteti im i ri në punë – nuk mund të them ose shkruaj më atë që dua.

Kur njerëzit ankohen për talibanët ose bëjnë komente të pafavorshme për ta, unë nuk mund t’i publikoj ato në raportin tim, sepse kam frikë se ato, jo vetëm që do të më rrezikojnë mua, por edhe kolegët e mi. Mediumi ynë madje mund të mbyllet.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni të ardhmen tuaj si gazetare që punoni në Kabulin e kontrolluar nga talibanët?

Rahila Elena: Kjo është pyetja që ia bëj vetes çdo ditë gjatë dy javëve të fundit dhe nuk kam përgjigje. Nëse do të ma bënit të njëjtën pyetje tri orë përpara se talibanët të hynin në Kabul, unë do t’ju jepja një listë të gjërave që kam planifikuar për të ardhmen time.

Kam pasur plane të hollësishme dhe plane mbështetëse për së paku 30 vjetët e ardhshëm të jetës sime. Kam pasur një fletore me një listë të projekteve të ndryshme personale, me shënime se si t’i realizoj ato. Në ditën që jemi larguar nga zyra, më 15 gusht – duke mos ditur se çfarë do të ndodhë – unë e kam shkatërruar atë fletore, së bashku me disa dokumente të tjera.

Kam pasur shumë ëndrra. Kam planifikuar të filloj studimet master në dy vjetët e ardhshëm. Gjithashtu kam qenë duke u përgatitur për testet e programit të bursave American Fulbright.

Kam dashur të punoj – si praktikante ose pjesë e një programi trajnimi – edhe për një agjenci të huaj të lajmeve dhe ta sjell atë njohuri në vendin tim.

Në afat të gjatë kam ëndërruar të punoj si korrespondente e çështjeve të jashtme, jashtë vendit, për ca kohë. Me pak fjalë, doja të raportoja për vendin tim.

Kam shkuar në punë në këmbë, edhe pse Kabuli nuk ka qenë vend i sigurt për gratë e reja gjatë Qeverisë së kaluar. Por, më pëlqente të ecja, duke menduar për të ardhmen time. Tani, kam frikë se planet e mia janë rrënuar dhe ëndrrat e mia janë shkatërruar. Nuk e di se çfarë e ardhmeje më pret. Qeveria talibane do të jetë ajo që do të bëjë plane për mua. Kjo më dhemb.

Tani për tani, talibanët thonë se gratë do të kthehen në punë, mediat mund të funksionojnë. Nuk e di nëse ata do t’i mbajnë premtimet e tyre dhe nëse do të jem në gjendje të vazhdoj punën time, ose nëse do të vritem apo do të arrestohem.

Radio Evropa e Lirë: Si është disponimi në rrugët e Kabulit këto ditë, për të rinjtë si ju?

Rahila Elena: Njerëzit po kthehen ngadalë në punë. Për disa ditë, Kabuli ishte si një qytet fantazmë. Rrugët ishin të shkreta. Tani është më i mbushur me njerëz, por qyteti është ende larg të qenët ai vendi i gjallë që ishte më parë.

Unë kaloj çdo ditë në pjesët më të ngarkuara të Kabulit dhe duket se qyteti është bërë një qytet burrash. Ka shumë më pak gra në punë dhe në rrugë. Shumica e grave mbajnë hixhab të zi ose burka. Pamja e meshkujve ka ndryshuar gjithashtu – ata tani veshin rroba tradicionale afgane, që talibanët i konsiderojnë të përshtatshme.

Kufizimet e lirive tona janë vetëm një pjesë e problemit.

Të rinjtë dhe të moshuarit janë të shqetësuar për gjendjen financiare. Njerëzit janë shumë të varfër dhe shumë nuk kanë punë të qëndrueshme. Shumë kanë pasur punë të rastësishme dhe kanë fituar aq sa për të blerë ushqim për ditën.

Afganistani, gjatë 20 vjetëve të fundit, është varur shumë nga ndihma e huaj, e cila mund të marrë fund. Nëse kjo ndodh, ne nuk e dimë nëse do të paguhemi edhe nëse na lejohet të punojmë. Kemi frikë se njerëzit do të përballen me urinë. /REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme