Gaza, ekspozitë mbi rrënoja me fotografi të fëmijëve të vrarë në sulmet izraelite

13:15 | 20 Qershor 2021
Përparim Bublaku

Një ekspozitë me fotografi të fëmijëve që humbën jetën gjatë sulmeve të fundit izraelite u mbajt në qytetin Khan Yunus në jug të Rripit të Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekspozita, e realizuar nga shoqata “Nëse Ndalojmë së Ëndërruari”, u mbajt në rrënojat e shtëpisë së familjes Es-Sekka, e cila u shkatërrua në sulmin izraelit ndaj qytetit Khan Yunus.

Krahas fotografive të fëmijëve palestinezë të vrarë në sulmet izraelite, në ekspozitë u përfshinë edhe kukulla, makete kartoni të aeroplanëve luftarakë izraelitë që kryenin sulme ajrore dhe çelësa dyersh, të cilat janë simbole të së drejtës së palestinezëve për t’u kthyer në tokën e tyre.

Suha al-Astal, një vajzë 13-vjeçare që vizitoi ekspozitën, tha për AA se ajo erdhi për të zbuluar krimet e Izraelit kundër fëmijëve të pafajshëm.

Duke vënë në dukje se kishte shumë frikë gjatë sulmeve izraelite në Gaza dhe se mendonte se mund të vdiste si fëmijët e tjerë, Astal tha se shpreson që sulmet të mos përsëriten dhe që do të jetojë e sigurt.

Nënkryetari i shoqatës që organizoi ekspozitën, Yusuf Benat, deklaroi se fëmijë të pafajshëm vdiqën në sulmet e Izraelit në Gaza, duke shtuar se ata synuan të shprehnin solidaritetin e tyre me familjet e tyre duke hapur këtë ekspozitë, e cila përfshin fotografitë e fëmijëve të cilët vdiqën në sulmet e fundit dhe sulmet e mëparshme.

Ekspozita u organizua mbi rrënojat e një ndërtese katërkatëshe në të cilën jetonin 70 njerëz, tha Benat, duke bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë në anën e popullit palestinez dhe të ndalojë krimet ndaj fëmijëve.

Benat shtoi se në të njëjtën kohë me ekspozitën, afërsisht 70 fëmijë organizuan një vrapim prej 500 metrash nga zona e ekspozitës për të përcjellë mesazhin e tyre në botë për të drejtën e tyre për jetë.

Ndryshe, sulmet e nisura nga Izraeli në Rripin e rrethuar të Gazës më 10 maj përfunduan më 21 maj, pas një armëpushimi të arritur me Hamasin.

Në sulmet izraelite në Gaza jetën humbën 254 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra, 1.948 u plagosën dhe mijëra ndërtesa u shkatërruan plotësisht ose u sollën në gjendje të papërdorshme.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme