Gati për “luftën e bardhë”. Rusia fortifikon Arktikun

20:00 | 12 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Rusia ka lënë pas apatinë që e kish mbërthyer pas rënies së Bashkimit Sovjetik, dhe po i kushton energji, personel, burime dhe para bazave ushtarake në veri. Jo vetëm për arsye ushtarake. Jo vetëm për të vendosur dominimin e saj në Polin e Veriut.

Me shkrirjen e akujve, hapet rruga për shfrytëzimin e sasive të jashtëzakonshme të naftës dhe gazit natyror që ndodhen në zonë. Por edhe sepse, ajo mund të jetë “Kanali i Suezit” i veriut, duke marrë kontrollin e këtij rrugëkalimi tejet të rëndësishëm.

Fundi i epokës sovjetike e kishte demilitarizuar Arktikun. Por në vitet e fundit, era ka ndryshuar. Madje era e ftohtë që fryn në zonat më të ftohta të planetit ka shtyrë Rusinë që të projektojë një sistem të ri për të ruajtur territorin. Disa baza përgjatë “Rrugës së Detit të Veriut”, që lidh ngushticën e Beringut me Detin e Karas, janë modernizuar pas shumë vitesh neglizhencë, që nga rënia e regjimit sovjetik.

Kremlini, nën udhëheqjen e Vladimir Putinit ka vendosur që të rigjallërojë praninë ushtarake në rajon. Në shumë raste, me një kapacitet ushtarak më të madh, se sa ata të epokave të mëparshme. Projekti i “ripushtimit” të Arktikut nisi në vitin 2012, por është konkretizuar, që nga viti 2015, kur janë vënë në funksion gjashtë baza të reja, 16 pika mbështetjeje për nëndetëse bërthamore dhe 13 fusha aviacioni. Jo vetëm kaq. Në zonat perëndimore në Gadishullin Kola është vendosur një sistem raketash S-400, për të mbrojtur të Flotën Veriore, një nga flotat kryesore ruse.

Rikthim në Arktik

“Nën udhëheqjen e Gorbaçovit dhe Yelsinnit, kufiri ynë i arktikut ka dalë zbuluar, por tani çdo gjë është duke u rivendosur”. Është i bindur Pavel Makarevich, kreu i Shoqërisë Gjeografike ruse. Ky kthim në Arktik nuk ka kaluar pa u vënë re nga anët e Uashingtonit. Sekretari i ri i mbrojtjes, James Mattis ka konfirmuar se SHBA “bën autogol nëse e lë këtë pjesë të botës.” Kjo situatë komplikon planet e administratës së Trumpit, e cila ka për qëllim arritjen në një detantë me Rusinë e Putinit. Ndërkohë, lëvizja e parë e Pentagonit ishte që të dërgonte 330 marinsa në Norvegji. Ushtarët amerikanë janë të stacionuar në bazën e Vaernes. Ata do të qëndrojnë për gjashtë muaj, periudhë e cila mund të zgjatet në një vit. Kuota është shumë e vogël, por është e rëndësishme që për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, trupat e huaja vendosen në Norvegji.

Në kohën e BRSS, prania e armatosur në Arktik bazohej në fuqinë bërthamore, sidomos me fluturimet e bombarduesve bërthamorë, me qëllim frikësimin bërthamor. Ky rikthim në akujt e Polit ka një vlerë tjetër. Bëhet fjalë për një shtrirje të gjerë, menduar për një luftë të mundshme konvencionale. Në mënyrë paradoksale, në qoftë se fuqia ka rënë, janë rritur personeli dhe mjetet. Sergai Shoigu, ministri rus i Mbrojtjes konfirmoi se në vitin 2017 do të rikthehen, ose krijohen nga e para, gjashtë objekte të tjera ushtarake.

Dhjetëra baza për të dominuar rrugën e veriut

Në mesin e një morie bazash, dy janë përfunduar në kohë rekord. Ajo e ishullit Alexandra dhe një në Kotelny Island. E para gjendet në arkipelagun e Franz Josef Land, ndërsa e dyta është edhe më tej në lindje, një ishull në grupin e Anzu, arkipelag në Siberinë e Re. Alexandra ka një bazë që mund të strehojë 150 trupa, të cilat mund të mbijetojnë në autonomi të plotë për të paktën 18 muaj. Struktura, e cila i ngjan një tërfili dhe është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Federatës, së shpejti do të integrohet me një pistë të re. Ideja është për ta bërë atë ideale si për avionët gjuajtës MiG-21, ashtu edhe për bombarduesit SU-34.

E njëjta strukturë edhe për Kotelny Island. Në këtë rast, investimet kanë qenë më të mëdha. Ishulli, 2700 milje larg nga Moska, do të presë 250 persona, të mirëmbrojtur me një sistem të mbrojtjes nga raketat. Jo vetëm kaq. Në ishull është instaluar edhe një sistem zbulimi radarësh, për të monitoruar trafikun në të gjithë Arktikun lindor.

Jo vetëm naftë

Mikhail Barabanov, kreu i Moscoë Defense Brief, i tha Reuters se “Modernizimi i forcave të Arktikut dhe krijimi i strukturave po zhvillohet me një ritëm të paprecedentë, që nuk është parë as edhe në kohët e Bashkimit Sovjetik”. Investimi masiv i kërkuar nga Putini nuk i ka lënë asgjë rastësisë. Kreu i Kremlinit ka premtuar për të investuar 650 miliard dollarë për të modernizuar 70% të ushtrisë ruse deri në vitin 2020.

Një tjetër anëtar i Shoqërisë Gjeografike ruse, Denis Moiseev shpjegon se “Bazat e reja që ne kemi janë ndërtuar në territorin rus, ndryshe nga ajo që bëjnë vendet e tjera”. Vendimi për të investuar kaq shumë burime në Polin e veriut shpjegohet edhe nga Moiseev: “Vendet e tjera po shtyjnë kufijtë e tyre drejt Arktikut. Ushtria jonë duhet të jetë e gatshme për të vepruar në të gjithë territorin, edhe në kushte ekstreme”.

Por zgjedhja e Moskës për t’u përqëndruar në Arktik nuk buron vetëm nga zgjedhje mbrojtëse. Ndryshimi i klimës dhe reduktimi progresiv i akullit hap dyert për burimet e ofruara nga rajoni. Sipas Shoqërisë Gjeologjike Amerikane, Arktiku mendohet të ketë pasuri prej 412 miliardë fuçi naftë bruto, për më shumë se 22% të të gjithë pasurinë e naftës dhe gazit natyror. Nëse është e vërtetë se sanksionet për shkak të luftës në Ukrainë mund të bëjnë nxjerrjen tepër të kushtueshme, është gjithashtu e vërtetë se Rusia ka një fuqi të nevojshme për t’i rezistuar, dhe investimet e bëra në veri janë pjesë e një vizioni afatgjatë.

Por këto investime kanë gjithashtu një arsye tjetër. Zhdukja e shtresës së akullit, e bën atë rrugë shumë tërheqës në veri. Ëndrra e Moskës do të jetë për ta kthyer atë në një lloj Suezi të ri. Që të rrisë gjithnjë e më shumë volumin e trafikut tregtar nga Ngushtica e Beringut në Oqeanin Atlantik dhe anasjelltas, duke parë sidomos nga lindja. /Il Giornale/bota.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme